Kryetari i një qyteti meksikan të rrënuar nga dhuna për shkak të drogës, është vrarë më pak se një javë pasi mori detyrën.
Alejandro Arcos u gjet i vdekur të dielën në Chilpancingo, një qytet me rreth 280,000 banorë në shtetin jugperëndimor të Guerreros. Ai ishte kryetar bashkie prej vetëm gjashtë ditësh, raporton BBC.
Guvernatorja e shtetit, Evelyn Salgado, ka thënë se qyteti është në zi për një vrasje që "na mbush me indinjatë".

Vdekja e tij erdhi tri ditë pasi sekretari i ri i qeverisë së qytetit, Francisco Tapia, u qëllua për vdekje.
Autoritetet nuk kanë dhënë detaje të hetimit, apo të dyshuar. Megjithatë, Guerrero është një nga shtetet më të prekura nga dhuna, teksa kartelet e drogës kanë vrarë dhjetëra politikanë në të gjithë vendin.
Ndërkaq, mediat meksikane kanë raportuar se ai është vrarë në mënyrë mizore.
Postimet e Arcos në mediat sociale tregojnë se ai kishte kaluar ditët e tij si kryetar, në zyrë, duke mbikëqyrur përpjekjet e ndihmës për fatkeqësi pas uraganit John muajin e kaluar, i cili shkaktoi përmbytje të rënda.

Guerrero i cili ndodhet në rrugët e kontrabandës në bregdetin e Paqësorit dhe Chilpancingos, ka qenë prej kohësh skena e betejave në terren midis dy bandave të drogës, Ardillos dhe Tlacos.
Të paktën gjashtë kandidatë për poste publike u vranë në shtet në prag të zgjedhjeve të 2 qershorit në Meksikë.
Më shumë se 450,000 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra mijëra janë zhdukur në të gjithë Meksikën që kur qeveria caktoi ushtrinë për të luftuar trafikun e drogës në vitin 2006.
