Botë

Kryeparlamentari iranian viziton lagjen e bombarduar të Bejrutit

Liban

Foto: Associated Press

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf ka mbërritur të shtunën në kryeqytetin libanez Bejrut për një vizitë, gjatë së cilës ai synon të përcjellë një mesazh nga lideri suprem i Iranit se ai shpreh solidaritet me popullin, qeverinë dhe rezistencën libaneze.

Irani është mbështetësi kryesor i Hezbollahut, grup ky që po lufton me ushtrinë izraelite, raporton BBC.

Pas takimit me kryeministrin e përkohshëm libanez, Najib Mikati, ai është dërguar nga dy zyrtarë të Hezbollahut në Basta, një nga lagjet qendrore të Bejrutit të goditur nga sulmet ajrore izraelite të enjten mbrëma, ku mbetën të vrarë 22 persona.

Teksa shikonte rrënojat, ai ka thënë para shumë gazetarëve se "ne mbështesim dhe solidarizohemi me popullin libanez, dhe ne do të qëndrojmë pranë tyre në këto kohë të vështira".

Disa libanezë kanë vënë në pikëpyetje angazhimin e Iranit ndaj Hezbollahut pasi dhjetëra udhëheqës të tij u vranë në fushatën e bombardimeve të Izraelit në Liban gjatë tri javëve të fundit.

Javën e kaluar Libanin e vizitoi edhe ministri i jashtëm iranian, Abbas Araghchi.