Kryeministri i Sllovakisë, Roberto Fico, ka bërë një vizitë të papritur në Moskë të dielën, për bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin.
Fico është bërë lideri i tretë perëndimor që takohet me liderin rus që nga pushtimi i plotë i Ukrainës tre vjet më parë, raporton BBC.
Fico, një kritik i zëshëm i mbështetjes së Bashkimit Evropian për Kievin në luftë, ka thënë se ata diskutuan për furnizimet e gazit rus në Sllovaki, tek e cila mbështetet vendi i tij.
Një marrëveshje me gjigantin rus të gazit Gazprom për kalimin e energjisë përmes Ukrainës në Sllovaki do të përfundojë në fund të këtij viti.
“Zyrtarët e lartë të BE-së u informuan për udhëtimin tim dhe qëllimin e tij, të premten”, ka shkruar Fico në Facebook.
Megjithatë, vizita është pritur keq nga partitë opozitare në vend dhe nga aleati fqinj i Sllovakisë në BE dhe NATO, Republika Çeke.
Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, ka thënë se qeveria e tij ka siguruar pavarësinë energjetike nga Rusia dhe ai po mendonte për ukrainasit që nuk mund të kalonin Krishtlindjet me të dashurit e tyre për shkak të Putinit.
Kryeministri sllovak ka thënë se takimi në Moskë është një reagim ndaj presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili u tha liderëve të BE-së se Ukraina është kundër transportimit të gazit rus përmes territorit të saj.
Fico, i cili i mbijetoi pushkatimit në fillim të këtij viti, ka thënë gjithashtu se kishte një "bisedë të gjatë" me Putinin dhe të dy "shkëmbyen pikëpamje mbi situatën ushtarake në Ukrainë".
“Të dy diskutuam mundësitë e një përfundimi të hershëm paqësor të luftës, dhe marrëdhëniet e ndërsjella midis Rusisë dhe Sllovakisë”, ka shkruar Fico në Facebook.