Atentati

Kryeministri sllovak del nga operacioni

Robert Fico

Përditësuar 22:45 - Kryeministri Robert Fico ka dalë nga operacioni disaorësh, ka thënë një burim për “Aktuality.sk.”, raporton Guardian. 

Siç ka thënë zëvendëskryeministri Tomas Taraba, kryeministri sllovak Robert Fico është jashtë rrezikut për jetë.


Përditësuar 16:15 - Kryeministri sllovak në “gjendje të rëndë” si pasojë e plagosjes me armë

Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, është në gjendje të rëndë shëndetësore si pasojë e plagëve të marra në Handlova, pak pasi mbajti një takim qeveritar, bëhet e ditur në një njoftim të ri nga kryeministria sllovake.

Sipas përditësimit, kryeministri është qëlluar disa herë dhe se tani po transportohet me helikopter për në qytetin e afërt të Banska Bystrica, raporton BBC.

Agjencia e lajmeve TASR ka raportuar të mërkurën se Fico është qëlluar përballë një ndërtese në qendër të qytetit sllovak Handlova, ku ishte mbajtur një takim qeveritar.

Raportohet të jenë dëgjuar disa të shtëna, sipas gazetarëve që ndodheshin në vendngjarje.

Fico është dërguar menjëherë në spital, derisa sulmuesi i tij është arrestuar.


Plagoset kryeministri i Sllovakisë

Robert Fico, kryeministër i Sllovakisë, të mërkurën është plagosur në një tentativë vrasje dhe është dërguar në spital. Plagosjen e Ficos e konfirmoi edhe nënkryetari i Parlamentit, Lubos Blaha, raporton agjencia sllovake e lajmeve “TASR”.

I dyshuari për plagosjen është arrestuar menjëherë. 

Ngjarja ndodhi para Shtëpisë së Kulturës, ku Fico përfundoi mbledhjen me kabinetin dhe po takohej me mbështetësit. Policia bllokoi vendin e ngjarjes.

Fico dyshohet se është plagosur në bark dhe gjoks.

Seanca parlamentare në Sllovaki është ndërprerë pas kësaj ngjarje dhe kanë reaguar shumë politikanë, mes tyre edhe presidentja e vendit, Zuzana Çaputova.

"Jam e tronditur dhe e dënoj fuqishëm sulmin e pamenduar ndaj kryeministrit. I uroj Roberto Ficos shumë forcë në këtë moment kritik për t'u rikuperuar nga sulmi", ka thënë Çaputova.

Fico është kryeministër i Sllovakisë që nga fundi i vitit 2023. Njihet për bindjet pro-ruse. 

VIDEO (Momenti duke u bartur Fico në veturë për t'u transportuar në spital):

VIDEO (Momenti i arrestimit të të dyshuarit):