Botë

Kryeministri japonez shkon në Ukrainë derisa presidenti kinez po qëndron në Rusi

Ministria e Jashtme e Japonisë ka konfirmuar se kryeministri japonez, Fumio Kishida, do të takohet të martën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Kiev.

Në një deklaratë për media, ministria ka thënë se Kishida do t’ia shpreh “solidaritetin dhe mbështetjen” Ukrainës dhe respektin "për kurajon e popullit të Ukrainës për të mbrojtur atdheun e tyre”, raportoi CNN-i të martën.

“Kryeministri Kishida do ta dënojë me vendosmëri agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe ndryshimin e njëanshëm të status quo-së me forcë, dhe do të rikonfirmojë vendosmërinë e tij për të mbështetur rendin ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Jashtme japoneze.

Udhëtimi i Kishidas në Ukrainë po ndodh në kohën kur lideri kinez, Xi Jinping, po qëndron në Moskë ku po zhvillon takime me presidentin rus, Vladimir Putin.

Vizita e Kishidas në Ukrainë do të jetë vizita e parë e një kryeministri japonez në një shtet apo rajon në të cilin po zhvillohet luftë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kjo do të jetë po ashtu vizita e parë në Ukrainë nga një lider i një vendi aziatik që është pjesë e grupit G7 dhe që është po ashtu aleat i SHBA-së në Azi.

Kishida do të udhëtojë të mërkurën në Poloni.