Kryeministri i Japonisë, Shigeru Ishiba, ka arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për një vizitë treditore ku do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump. Kjo vizitë ka për qëllim të sigurojë se SHBA-ja do të vazhdojë të garantojnë sigurinë e Japonisë kundër presionit gjithnjë e në rritje të Kinës dhe Koresë së Veriut.
Vizita e kryeministrit të ri japonez, është në vazhdën e takimeve që paraardhësi i Shigeru Ishibës, Shinzo Abe, kishte mbajtur me presidentin Trump gjatë mandatit të tij të parë në vitin 2016, raporton The Guardian.
Sikurse paraardhësit e tij politik, Ishiba synon që të rrisë shpenzimet ushtarake në 2% të GDP deri në vitin 2027 – një zotim ky që do të kërkojë blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane.
Pas kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, Ishiba do të jetë lideri i dytë botëror që takohet me Trumpin, dhe kjo sipas Nicholas Szechenyi, hulumtues i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington, flet shumë për peshën strategjike të Japonisë”.
Përveç shpenzimeve ushtarake, në takim pritet që të flitet edhe për çështje të tjera si vendimi i Trump për tërheqjen e SHBA-ve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë e po ashtu edhe për tarifat përkohësisht të pezulluara ndaj Kanadasë dhe Meksikës.