Momentumi për bisedimet për paqe në Gaza është rikthyer dhe një marrëveshje është e mundur para inaugurimit të Donald Trumpit në janar, ka thënë kryeministri i Katarit.
Kryeministri Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani ka thënë se dy çështje kyçe ishin nëse ka gatishmëri për shkëmbim të burgosur – pengje, dhe nëse ka dëshirë për përfundim të luftës.
Ai ka theksuar se Katari është tërhequr nga roli si ndërmjetësues sepse disa shtete po e përdornin për shkaqe politike.
“Ka pasur inkurajim për të siguruar një marrëveshje para se presidenti (Trump) të vijë në detyrë, kështu që ne po përpiqemi t’i kthejmë gjërat në rrugën e duhur”, ka theksuar ai.
Al Thani ka lënë të kuptohet se ka marrë siguri nga këshilltarët e presidentit të zgjedhur amerikan për vendosmërinë për arritjen e një marrëveshjeje.
“E kemi ndjerë pas zgjedhjeve, se momentumi po rikthehet”.