Kryeministri francez, Michel Barnier, pritet të japë dorëheqjen të enjten, një ditë pasi qeveria e tij u bë e para që u rrëzua nga një votë mosbesimi në më shumë se 60 vjet, dhe vetëm tre muaj pasi mori detyrën.
Barnier do t'i paraqesë presidentit Emmanuel Macron dorëheqjen e qeverisë së tij, të enjten në mëngjes.
Ndërkaq, pesidenti do t'i drejtohet kombit të enjten në mbrëmje, ka bërë të ditur pallati Elysee, raporton The Guardian.
"Mund t'ju them se do të mbetet një nder për mua që i kam shërbyer me dinjitet Francës dhe francezëve”, ka thënë Barnier në fjalimin e tij të fundit përpara votimit.
Rënia e Barnier vjen pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare këtë verë, të cilat rezultuan në një parlament të varur, pa asnjë parti që kishte një shumicë të përgjithshme, teksa e djathta ekstreme mban çelësin e mbijetesës së qeverisë.
Macron ka detyrën për të zgjedhur një pasardhës të mundshëm teksa disa kundërshtarë i bëjnë thirrje të japë dorëheqjen.
Parlamenti do të mbetet i fragmentuar për një kohë pasi nuk mund të mbahen zgjedhje të reja legjislative të paktën deri në korrik.
Mocioni i mosbesimit, i sjellë nga e majta e fortë në Asamblenë Kombëtare, erdhi si pasojë e një bllokimi mbi buxhetin e vitit 2025, pasi kryeministri të hënën kaloi një projekt-ligj për financimin e sigurimeve sociale pa votim.
Me mbështetjen vendimtare të partisë “Fronti Kombëtar” të ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, një shumicë prej 331 deputetësh në dhomën prej 577 anëtarësh votuan për rrëzimin e qeverisë.
LEXO EDHE: