Kryediplomati i Ukrainës, Dmytro Kuleba do ta vizitojë Kinën të martën me ftesë të Pekinit për bisedime, për të cilat zyrtarë të Kievit thanë se do të fokusohen në mënyrën se si t'i jepet fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe në një rol të mundshëm kinez në arritjen e një zgjidhjeje.
Gati 29 muaj që nga pushtimi i plotë i Rusisë, ministri Kuleba do të diskutojë lidhjet dypalëshe në bisedimet me ministrin e Jashtëm kinez, Ëang Yi gjatë një udhëtimi në Kinë nga 23 deri më 25 korrik, bëri të ditur ministria e Jashtme e Ukrainës, raporton Reuters.
“Tema kryesore e diskutimit do të jetë kërkimi i mënyrave për të ndaluar agresionin e Rusisë dhe roli i mundshëm i Kinës në arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë”, thuhet në deklaratën e ministrisë ukrainase në faqen e saj të internetit.
Udhëtimi është i pazakontë pasi Kina shihet gjerësisht si e afër me Kremlinin, me të cilin Pekini deklaroi një partneritet "pa kufij" në vitin 2022, vetëm disa ditë para pushtimit rus të Ukrainës.
Megjithëse ekonomia e dytë më e madhe në botë nuk e ka dënuar pushtimin rus dhe e ka mohuar se ka ndihmuar në mbajtjen e ekonomisë ruse të luftës, Kievi ka qenë i kujdesshëm në kritikat e tij ndaj Pekinit.