Botë

Kriza në Lindjen e Mesme: Netanyahu shton një objektiv të luftës

Benjamin Netanyahu

Benjamin Netanyahu

Foto: Associated Press

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se qëllimi zyrtar i luftës ndaj Hamasit tani është kthimi i sigurt i banorëve në veri të shtetit.

Vendimi u mor nga kabineti i sigurisë të hënën në mbrëmje.

Rreth 60 mijë njerëz ishin evakuuar nga veriu i Izraelit për shkak të sulmeve të Hezbollahut nga Libani.

Luftimet në zonën kufitare shpërthyen më 8 tetor të vitit  të shkuar – një ditë pas sulmit të Hamasit në Izrael – kur Hezbollahu shtiu në drejtim të izraelitëve, në solidaritet me palestinezët. 

“Kabineti i sigurisë ka përditësuar objektivat e luftës si në vazhdim: Rikthimi i banorëve të veriut në mënyrë të sigurt në shtëpitë e tyre”, thuhet në njoftimin e kabinetit.

Më herët të hënën, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, u shpreh se mënyra e vetme për t’i kthyer banorët e veriut është “përmes aksionit ushtarak”.

“Mundësia për marrëveshje po përfundon pasi Hezbollahu po vazhdon ta lidhë veten me Hamasin dhe po refuzon t’i japë fund konfliktit. Prandaj, e vetmja rrugë e mbetur për të siguruar rikthimin e komuniteteve të Izraelit verior në shtëpitë e tyre, do të jetë ndërhyrja ushtarake”, ka thënë Gallant në një takim me të dërguarin e SHBA-së, Amos Hochstein.