Botë

Kriza globale e ujit e vë në rrezik gjysmën e prodhimit ushqimor

kriza e ujit

Më shumë se gjysma e prodhimit të ushqimit në botë do të jetë në rrezik të dështimit në 25 vjetët e ardhshme për shkak të krizës me ujë, nëse nuk merren veprime urgjente për ruajtjen e burimeve ujore dhe dhënien fund të shkatërrimit të ekosistemit.

Gjysma e popullsisë së botës tashmë përballet me mungesë të ujit dhe ky numër pritet të rritet me përkeqësimin e krizës klimatike, sipas një raporti nga Komisioni Botëror për Ujin.

Kërkesa për ujë të freskët do të tejkalojë furnizimin me 40 për qind deri në fund të dekadës, sepse sistemet e ujit në botë po vihen nën “presion të paprecedentë”, thuhet në raport, raportoi The Guardian. 

Komisioni ka gjetur se qeveritë dhe ekspertët kanë nënvlerësuar sasinë e ujit të nevojshëm për njerëzit që të kenë jetë të denjë. Ndërsa 50 deri në 100 litra në ditë nevojiten për shëndetin e higjienën e një personi, faktikisht njerëzit kërkojnë rreth 4,000 litra në ditë në mënyrë që të bëjnë një jetë dinjitoze.  

Pesë pikat kryesore nga raporti

Bota ka krizë të ujit

Mbi 2 miliardë njerëz nuk kanë qasje në ujë të pijshëm dhe 3.6 miliardë njerëz – 44% e popullsisë – nuk kanë qasje për higjienë të sigurt. Çdo ditë, 1,000 fëmijë vdesin nga mungesa e qasjes në ujë të sigurt.

Nuk ka përpjekje të koordinuara në botë për të adresuar këtë krizë

Pavarësisht lidhjes së sistemeve ujore, nuk ka struktura qeveritare për ujin. Kombet e Bashkuara kanë mbajtur vetëm një konferencë për ujin në 50 vjetët e fundit, dhe vetëm muajin e kaluar e caktoi një të dërguar special për ujin.

Ndryshimet klimatike po intensifikojnë mungesën e ujit

Ndikimet e krizës klimatike ndjehen fillimisht në sistemet hidrologjike të botës, dhe në disa rajone këto sisteme po përballen me ndërprerje të rënda apo kolapsi total. Thatësira në Amazon, përmbytjen në Evropë dhe Azi, e shkrirja e akullnajave në male, janë shembuj të ndikimeve të motit ekstrem që mund të përkeqësohen. Përdorimi i tepërt i ujit nga njerëzit po ashtu po përkeqëson gjendjen.

Uji për dikë është i lirë e për ditë shumë i shtrenjtë

Subvencionet për bujqësinë në mbarë botën shpesh kanë pasoja të padëshiruara për ujin, duke stimuluar fermerët të ujitin të mbjellat e tyre edhe pa nevojë. Industritë po ashtu e injorojnë ndotjen e tyre. Ndërkohë, njerëzit e varfër në vendet në zhvillim shpesh paguajnë çmim të lartë për ujin, ose mund ta përdorin vetëm nga burime të pista.

Uji është e mirë e përbashkët

E gjithë jeta njerëzore varet nga uji, por ai nuk njihet për burimin e domosdoshëm që është. Në raport kërkohet që njerëzit të fillojnë të mendojnë për ujin ndrysh – jo si burim i pafundmë, por si e mirë e përbashkët, me qeveritë që duhet siguruar të mbrojnë burimet e ujit.