Botë

Kritikat e Bidenit për rënien e demokracisë

Ambasadorët kinezë dhe rusë në SHBA kanë shkruar ese të përbashkët në revistën politike të Interesit Kombëtar, duke akuzuar se Administrata e Bidenit po shfaq një “mentalitet të Luftës së Ftohtë”, që do të “nxisë përballje ideologjike dhe përçarje në botë”. Administrata, po ashtu, është përballur me kritika për mënyrën se si veproi për të vendosur se cilat shtete do të ftonte

Presidenti Joe Biden u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në Samitin e parë të Shtëpisë së Bardhë për Demokraci që të përmbysin “recesionin” e vazhdueshëm demokratik, që po shfaqet në një kohë të ngritjes së madhe të autoritarizmit në të gjithë botën dhe tensioneve të jashtëzakonshme në institucionet kyç të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Samiti virtual dyditor, që ka nisur të enjten, është cilësuar si mundësi për liderët dhe ekspertët e shoqërisë civile prej rreth 110 shteteve për të bashkëpunuar në luftimin e korrupsionit dhe nxitjen e respektit për të drejtat e njeriut.

“Në pikëpamjen time, kjo është sfida kryesore e kohës sonë: Demokracia”, ka thënë Bideni në nisjen e samitit dyditor. “Qeveria e popullit shpesh mund të jetë fragjile, por në thelb elastike”, ka shtuar ai. Samiti në Shtëpinë e Bardhë është organizuar në vitin kur demokracia amerikane u sfidua fort, përfshirë me trazirat e 6 janarit që nisën nga qëndrimet e rrejshme të Donald Trumpit se zgjedhjet ishin të manipuluara.

Ambasadorët kinezë dhe rusë në SHBA kanë shkruar ese të përbashkët në revistën politike të Interesit Kombëtar, duke akuzuar se Administrata e Bidenit po shfaq një “mentalitet të Luftës së Ftohtë”, që do të “nxisë përballje ideologjike dhe përçarje në botë”. Administrata, po ashtu, është përballur me kritika për mënyrën se si veproi për të vendosur se cilat shtete do të ftonte.

Administrata e Bidenit, nga ana e saj, thotë se samiti virtual është një takim kritik në një kohë kur liritë janë në një rënie në të gjithë globin. Bideni ka thënë se përballja me këtë dinamikë të rënies së demokracisë është “sfida e kohës sonë”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, ka thënë se Bideni, i cili hapi samitin të enjten dhe do ta hapë edhe të premten, do t'u bëjë thirrje pjesëmarrësve që t'i përkushtohen "përmbysjes së recesionit demokratik dhe garantimit që demokracitë të sjellin sukses për popullin e tyre". Biden po ashtu planifikon të flasë për rëndësinë e të drejtave për votim në shtëpi, siç bëri gjatë përkujtimores së Martin Luther King Jr. sipas një zyrtari të lartë të administratës që tregoi ngjarjen për gazetarët me kushtin që të mbetej anonim. Në atë kohë, presidenti demokrat e quajti votimin "të drejtë themelore" dhe dënoi përpjekjet për ta kufizuar atë si "gjëja më joamerikane" që mund të imagjinohet.

Problemet e brendshme

Samiti vjen pasi demokracia amerikane përballet me sfida të rënda për institucionet dhe traditat e saj. Zyrtarët vendas po japin dorëheqje në një shkallë alarmante pas përballjeve me zëra të zemëruar në mbledhjet e këshillit të shkollave, në zyrat e zgjedhjeve dhe bashkive.

Shtetet e Bashkuara po miratojnë ligje për të kufizuar pjesëmarrjen në fletëvotim, duke e bërë më të vështirë votimin për amerikanët. Dhe sulmi i 6 janarit në Capitol bëri që shumë njerëz të përkrahin pretendimet e rreme të Donald Trumpit se zgjedhjet janë vjedhur, duke bërë që populli të humbasë besimin në saktësinë e votimit.

Bideni ka thënë se vënia në veprim e projektligjit të infrastrukturës dypartiake prej 1 trilion dollarësh, si dhe rreth 2 trilionë dollarë të nismave sociale dhe ndryshimeve klimatike do të demonstrojë se si demokracia mund ta përmirësojë jetën e njerëzve.

Ndërkaq, disa avokatë duan që Bideni të fokusohet në mënyra të tjera për të mbështetur demokracinë në vend. Kjo do të testohet të enjten përderisa Dhoma e Përfaqësuesve do të miratojë “Aktin për Mbrojtjen e Demokracisë”, krahas ligjeve të tjera, si “Akti i Lirisë për të Votuar” dhe “Akti i të Drejtave të Votimit John Lewis”, ligje të cilat janë përkrahur kryesisht nga demokratët në Kongres, por që janë bllokuar nga republikanët në Senat.

“Shtetet e Bashkuara njihen për demokraci, por ajo është dëmtuar në vitet e fundit”, ka thënë Michael Abramowitz, president i “Freedom House”, raporti vjetor i të cilit shënoi vitin e 15-të radhazi të një rënieje demokratike globale. “Tani për tani, po kalojmë një periudhë në Amerikë ku është shumë e vështirë për të vërtetuar se demokracia mund të japë rezultate”.

Rënia e demokracisë

Politika e jashtme e Bidenit ka në qendër promovimin e vlerave demokratike dhe gjithnjë, ka theksuar nevojën që SHBA-ja dhe aleatët e tjerë të demonstrojnë se demokracia është më e mirë për shoqërinë sesa autokracia.

Megjithatë, gjatë vitit të parë të presidencës së tij, liritë demokratike nuk janë në nivel të duhur.

Sipas raportit vjetor të publikuar të mërkurën, Civicus Monitor, u tha se në 13 shtete, liritë qytetare pësuan rënie nga viti i kaluar. Vetëm një prej tyre, Mongolia, pati përmirësim sipas raportit. Pra, nga 197 vende, vetëm 39 u vlerësuan që kanë shënuar përmirësim.

Një raport i Qendrës Kërkimore “Pew” deklaroi se përderisa “njerëzit e duan demokracinë, angazhimi i tyre ndaj saj nuk është për t’u lavdëruar”. Madje, edhe shtetet e pasura, duke përfshirë këtu edhe SHBA-në kanë njerëz të cilët favorizojnë sundimin ushtarak, thotë raporti.

Grupi i Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore në raportimet e tij vjetore thotë se numri i shteteve që përjetojnë rënie të nivelit të demokracisë “nuk ka qenë kurrë kaq i lartë” sa në dekadën e fundit, duke përfshirë në këtë listë SHBA-në, Indinë dhe Brazilin.

Kritikat kineze

Zyrtarët kinezë kanë bërë një sërë kritikash publike për samitin, njëri prej të cilëve ishte zyrtar i lartë qeveritar që madje e quajti samitin një “shaka”. Ata po ashtu kanë shprehur zemërim ndaj administratës që ka ftuar Tajvanin të marrë pjesë në mbledhje. Kina e deklaron këtë ishull vetëqeverisës si pjesë të territorit të saj dhe kundërshton që ky ishull të ketë kontakte direkte me qeveritë e huaja.

“Pala amerikane deklaron se i ashtuquajturi samit i demokracisë është që të mbrojë demokracinë, atëherë nuk mund të mos pyes se si me burimet e bollshme dhe të avancuara mjekësore dhe teknologjike SHBA-ja lejon që më shumë se 800.000 njerëz të popullsisë së saj të vdesin nga virusi dhe pothuajse 50 milionë njerëz të vuajnë ende nga COVID-i?” Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha këtë javë: “Me tragjedi të tilla të të drejtave të njeriut, si mundet SHBA-ja ta mbrojë demokracinë?”

Vende të tjera të paftuara kanë treguar pakënaqësinë e tyre. Hungaria, i vetmi anëtar i Bashkimit Evropian që nuk u ftua, u përpoq të bllokonte presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, që të fliste në emër të bllokut në samit. Gjatë fushatës së vitit 2020, Bideni iu referua kryeministrit hungarez, Viktor Orban, si “bandit”. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të tregonte se si u vendos se kush ishte ftuar dhe kush jo.

Për shembull, Turqia, një anëtare e NATO-s, dhe Egjipti, një aleat kyç i SHBA-së në Lindjen e Mesme, u lanë gjithashtu jashtë kësaj liste. Administrata e Bidenit ka ngritur shqetësime për të drejtat e njeriut për të dy kombet. Megjithatë, Polonia, e cila është përballur me kritika për minimin e pavarësisë së autoriteteve gjyqësore dhe medias së saj, u ftua.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se lista e ftesave nuk kishte për qëllim të ishte një “vulë miratimi ose mosmiratimi”. “Thjesht është menduar të kemi një gamë të larmishme zërash, fytyrash dhe përfaqësuesish në diskutim”, ka thënë ajo.

Përktheu: Leutrime Rekaliu