Presidenti rus, Vladimir Putin, është gati të diskutojë për Ukrainën me Donald Trumpin, por kjo nuk do të thotë se ai është i gatshëm të ndryshojë kërkesat e Moskës, ka njoftuar Kremlini zyrtar të premten.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, i bëri komentet pasi u pyet nëse gatishmëria e Putinit për të biseduar me presidentin e zgjedhur republikan pasqyronte një gatishmëri për të ndryshuar këto kërkesa.
“Presidenti nuk ka thënë kurrë se qëllimet e operacionit special ushtarak po ndryshojnë. Përkundrazi, ai ka thënë vazhdimisht se ato mbeten të njëjta”, tha Peskov.
Putini më 14 qershor përcaktoi kushtet e tij për t’i dhënë fund luftës: Ukrainës do t’i duhet t’i heqë ambiciet e saj për t’u bërë pjesë e NATO-s dhe të tërheqë të gjitha trupat e saj nga i gjithë territori i katër rajoneve të pretenduara nga Rusia.
Ukraina e hodhi poshtë këtë, duke thënë se do të ishte e barabartë me kapitullimin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paraqitur një “plan fitoreje” që përfshin kërkesat për mbështetje shtesë ushtarake nga Perëndimi, raporton Reuters.
Gjatë fushatës zgjedhore, Trump kritikoi shkallën e mbështetjes ushtarake dhe financiare të SHBA për Kievin dhe tha se ai mund t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve, pa thënë se si.
Zelensky e ka uruar Trumpin për fitoren, por tha se nuk e di se si amerikani planifikon t‘i japë fund konfliktit shpejt. “Nëse është thjesht e shpejtë, kjo do të thotë humbje për Ukrainën. Unë thjesht nuk e kuptoj ende se si mund të jetë kjo në ndonjë mënyrë tjetër. Ndoshta ne nuk dimë diçka, nuk e shohim”, tha ai të enjten.