Janë hartuar ndryshime në doktrinën bërthamore të Rusisë dhe do të zyrtarizohen sipas nevojës, kanë njoftuar zyrtarë Kremlinit të martën, duke e theksuar sërish shqetësimin e Moskës për vendimin e fundit të SHBA-së për përdorimin e armëve amerikane thellë territorit rus nga Ukraina, raporton Reuters.
“Ndryshimet tashmë janë formuluar praktikisht. Ato do të zyrtarizohen sipas nevojës”, ka thënë Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS.
Kremilini e ka quajtur të hënën vendimin e administratës së presidentit, Joe Biden si të pamatur dhe ka paralajmëruar se Moska do të përgjigjet.
Rusia, e cila ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në mënyrë të përsëritur ka paralajmëruar se Perëndimi po luan me zjarr, duke i kaluar kufijtë që fuqia bërthamore (Rusia) mund ose nuk mund t’i tolerojë.
Në shtator, presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se aprovimi perëndimor i përdorimit të raketave me rreze të gjatë nga Kievi, mund të nënkuptojë “përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane në luftën në Ukrainë”, sepse infrastruktura ushtarake dhe personeli i NATO-s, do të përfshihej në vendosjen e shënjestrës dhe lëshimin e raketave.
Vendimi i Bideni ka ardhur pas lutjeve të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për ta lejuar ushtrinë e Ukrainës t’i përdorë armët amerikane për të goditur objektiva ushtarake ruse larg kufirit ukrainas.
Aprovimi i SHBA-sa erdhi kryesisht si përgjigje ndaj vendosjes së trupave veriokoreane nga Rusia për t’i plotësuar forcat e veta, zhvillim që ka shkaktuar alarm në Washington dhe Kiev.
Vetëm disa javë përpara zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në nëntor, Putini urdhëroi ndryshime në doktrinën bërthamore për të thënë se çdo sulm konvencional ndaj Rusisë, i ndihmuar nga një fuqi bërthamore, mund të konsiderohet si sulm i përbashkët ndaj Rusisë.
Peskov i ka thënë TASS-it të martën se Moska është e gatshme t’i normalizojë lidhjet e saj me Washingtonin.
“Por ne nuk mund të kërcejmë tango të vetëm”, ka thënë Peskovi. “Dhe nuk do ta bëjmë këtë gjë”.