Botë

Kremlini mohon planet për pushtimin e Ukrainës

Kremlini zyrtar të premten ka kundërshtuar raportimet se ridërgimi i trupave afër kufirit me Ukrainën pasqyron qëllimet agresive të Moskës, duke konstatuar se Rusia ka rritur sigurinë e saj si kundërpërgjigje ndaj kërcënimeve të NATO-s.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka mohuar raportimet e mediave perëndimore se Moska ka për qëllim pushtimin e Ukrainës. Ai i ka cilësuar si “përpjekje të thata dhe të pabazuara për të nxitur tensionimin e situatës”.

“Rusia nuk kërcënon askënd. Lëvizja e trupave në territorin tonë nuk mund të jetë shkak për shqetësimin e askujt”, ka thënë Peskov në një konferencë për media.

Ukraina është ankuar se Rusia javën e fundit ka mbajtur mijëra trupa jo larg kufijve të dy shteteve pas përfundimit të manovrave ushtarake si përpjekje për të rritur presionin ndaj ish-fqinjit sovjetik. Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe ka mbështetur një kryengritje separatiste që pati shpërthyer atë vit ne Ukrainën lindore.

Ministri ukrainas i Mbrojtjes ka thënë se rreth 90 mijë trupa ruse janë pozicionuar jo larg kufirit dhe në zona që kontrollohen nga rebelët në lindje të Ukrainës. Ai ka shtuar se njësitë e armatës ruse 41 kanë mbetur në Yelnya, qytet rreth 260 kilometra në veri të kufirit ukrainas.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka siguruar ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, në Washington këtë javë se përkushtimi i SHBA-së për integritetin territorial dhe sigurinë e Ukrainës është “i hekurt”.

Blinkeni ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në dijeni të qëllimeve ruse, por që “doracaku udhëzues” i Moskës në të kaluarën përfshinte zbulimin e provokimeve të supozuara me qëllim të arsyetimit të intervenimit ushtarak.

Rusia ka ndikimin e saj prapa kryengritjes separatiste në Ukrainën lindore që la të vdekur mbi 14 mijë njerëz. Mirëpo, Moska vazhdimisht ka mohuar prezencën e trupave të saj në Ukrainën lindore.

I pyetur të enjten se nëse Rusia planifikonte pushtimin e Ukrainës, ambasadori rus në Kombet e Bashkuara u përgjigj se ata “kurrë nuk e kishin atë plan, dhe se kurrë nuk do të ndërmarrin hapa të tillë derisa nuk provokohen nga Ukraina, ose nga kushdo tjetër. Ai citoi ato që i quajti kërcënime të vazhdueshme nga Ukraina dhe aksione provokuese nga anijet luftarake të Shteteve të Bashkuara në Detin e Zi.

Peskovi ngjashëm vuri theksin në nevojën e Rusisë për mbrojtjen e saj ndaj siç e cilësoi ai “provokimet në rritje e sipër” afër kufirit rus. Ai drejtoi gishtin drejt SHBA-së për vendosjen detare në Detin e Zi dhe për frekuentimin e vazhdueshëm të dronëve inteligjentë të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s.

“Ne marrim masa të rrisim sigurinë tonë kur kundërshtarët tanë marrin aksion sfidues afër kufijve tanë. Ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj atyre zhvillimeve, ne duhet të jemi syhapur”, ka deklaruar Peskovi.

Rreshtimi i raportuar i Ushtrisë ruse afër Ukrainës ngriti gjithashtu shqetësime edhe në Bashkimin Evropian.

Më herët gjatë kësaj jave, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas diskutimit të kësaj çështjeje me presidentin Biden, ka thënë se “ne mbështesim fuqishëm integritetin territorial të Ukrainës”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, të premten ka thënë para gazetarëve se blloku po diskuton me partnerët, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar mbi situatën, duke shtuar që “informacioni që kemi mbledhur deri tash është shqetësues”.

Përktheu: Sokol Berisha