Kremlini ka hedhur poshtë të enjten pretendimet e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se Kina është përfshirë në konfliktin në Ukrainë, duke thënë se Pekini ka një "pozicion të balancuar".
Kina ka paralajmëruar Ukrainën që të mos bënte komente "të papërgjegjshme" pasi Zelensky ka thënë se inteligjenca ukrainase ka zbuluar se të paktën 155 qytetarë kinezë po luftonin në anën e Rusisë në Ukrainë, raporton Reuters.
Zelensky ka thënë se Rusia po rekruton shtetas kinezë dhe se zyrtarët kinezë janë në dijeni të kësaj.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian e ka quajtur Pekinin "një mbështetës të fortë dhe promovues aktiv të një zgjidhjeje paqësore të krizës" dhe ka thënë se Kina gjithmonë përpiqet të largojë qytetarët e saj nga regjistrimi për të luftuar në konfliktet e huaja.
I pyetur në lidhje me komentet e Zelenskyt, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë të enjten se Moska nuk po e tërhiqte Pekinin në konflikt.
"Ky nuk është rasti. Kina ka një pozicion të balancuar. Kina është partneri ynë strategjik, miku dhe shoku. Zelensky e ka gabim”, është shprehur Peskov.
Rusia dhe Kina kanë deklaruar një partneritet strategjik "pa kufij" disa ditë përpara se presidenti Vladimir Putin të urdhëronte hyrjen e dhjetëra mijëra trupave në Ukrainë në shkurt 2022.