Botë

Krasniqi: Gjendja në Spanjë e rëndë, u vonuan masat parandaluese për Covid-19

Gazmend Krasniqi, kirurg nga Toledo të Madridit, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se Spanja është vonuar me masat parandaluese ndaj Covid-19, dhe kjo ka rezultuar tani edhe me numrin e lartë të të infektuarve.

Ai thotë gjithashtu se është befasues numri i lartë i të vdekurve, derisa thekson se vetëm kur është shënuar ky numër i viktimave atëherë qytetarët e kanë marrë seriozisht situatën.

“Gjendja është shumë e rëndë me numër të madh të rasteve, në krejt Spanjën me një vdekshmëri të lartë, dhe spitalet janë bajagi të kollapsuar. Duket se janë vonuar masat, që janë marrë tek ju (në Kosovë)”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se mjekë ka mjaftueshëm, porse problemi qëndron te fluksi i madh i pacientëve.

“Momentalisht ende nuk jam i angazhuar, ndoshta në ditët e ardhshme. Mjek ka, nuk është problemi aty. Problemi është fluksi shumë i madh i pacientëve, ka mjete, por ska edhe aq shumë respiratorë”, ka thënë Krasniqi.

Ai thotë se tashmë janë marrë të gjitha masat dhe lakorja pritet të bie në ditët në vijim.

“Nuk është gjendje e jashtëzakonshme, por masat e rrezikut sanitar janë prej 14 marsit dhe prej atëherë janë mbyllur edhe shkollat. Është reduktuar numri i personave në rrugë. E po pritet që tani të jemi në majën e lakores dhe në ditët në vijim pritet të ketë rënie të numrit. Derisa i kanë parë numrin e të vdekurve në gazeta, për pak ditë kur e kanë pa se vdekshmëria është shumë e lartë qytetarët e kanë kuptuar që të qëndrojnë në shtëpi e të dalin vetëm për nevojat esenciale”, ka thënë Krasniqi.

Në Spanjë numri i të infektuarve ka shkuar mbi 110 mijë, derisa numri i viktimave në Spanjë ka arritur mbi 10 mijë. E mbi 26 mijë të tjerë janë shëruar.