Botë

Kotzias për herë të parë do të zbarkojë në Aeroportin e Shkupit

Shefi i diplomacisë greke ditëve në vijim pritet të vijë në Shkup, raportoi televizioni grek Alfa.

Në kronikën e transmetuar në edicionin qendror të lajmeve, gazetarja duke iu referuar burimeve të televizionit thotë se fillon javë kyçe për negociatat, ndërsa Kotzias homologut të tij në Maqedoni do t’ia dorëzojë draft marrëveshjen, të cilën e përgatiti pala greke.

“Sipas informacioneve të Alfa, Kotzias pritet që ta vizitojë Shkupin në ditët në vazhdim me fluturimin e parë në aeroportin, i cili do të mbajë emrin e ri “Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit”.

Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë me vete do të ketë dhe propozimin e Greqisë, në të cilin sipas burimit të njëjtë, në 24 orët e fundit rregullohen detajet”, publikoi televizioni grek TV Alfa, transmeton MIA.

Sipas televizionit, në draft marrëveshjen nga ana greke, përveç emrit, do të përfshihen dhe ndryshimet në Kushtetutë të cilat Athina i kërkon nga Shkupi për “heqjen e pozitave irredentiste”.

“Kur do të arrihet marrëveshje, ajo do të jetë e plotë”, deklaroi për televizionin Alfa, funksionari i qeverisë së Greqisë.

Mediat greke, siç raportoi korrespondenti i MIA nga Athina, në periudhën e kaluar, intensivisht publikojnë se shefi i diplomacisë greke, në fund të këtij muaji do ta vizitojë Shkupin, si hap simbolik, pas emërtimit të aeroportit, por edhe të dorëzojë personalisht draft marrëveshjen ministrit të jashtëm të Maqedonisë Nikola Dimitrov.

Për këto informacione rreth një vizite të mundshme të Nikos Kotziasit në Shkup, zyrtarisht nuk ekziston as konfirmim as përgënjeshtrim.