Botë

Koreja Veriore shfaq për herë të parë imazhe të fuqisë së saj bërthamore

Kim Jong-un

Foto: Associated Press

Koreja Veriore ka shfaqur për herë të parë të premten imazhet e centrifugave që prodhojnë karburant për bombat e saj bërthamore, ndërsa udhëheqësi Kim Jong Un vizitoi një strukturë të pasurimit të uraniumit, dhe bëri thirrje për më shumë materiale për të rritur arsenalin.

Raporti i medias shtetërore për vizitën e Kim në Institutin e Armëve Bërthamore u shoqërua me fotot e para të centrifugave, duke ofruar një vështrim të rrallë brenda programit bërthamor të Koresë së Veriut, i cili është i ndaluar sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, raporton Reuters.

Fotot treguan Kim duke ecur mes kolonave të gjata të centrifugave metalike, makinerive që pasurojnë uraniumin. Raporti nuk e bëri të qartë se kur ndodhi vizita dhe as vendndodhjen e objektit.

Kim u kërkoi punëtorëve të prodhojnë më shumë materiale për armët taktike bërthamore, duke thënë se arsenali bërthamor i vendit është jetik për përballimin e kërcënimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Armët nevojiten për "vetëmbrojtje dhe aftësinë për një sulm parandalues", citohet të ketë thënë lideri koreanoverior.

Udhëheqësi i Koresë Veriore ka deklaruar po ashtu se "kërcënimet bërthamore anti-DPRK" nga "forcat vasale të udhëhequra nga imperialistët e SHBA-së" kanë kaluar vijën e kuqe, sipas raportit.

Koreja Veriore besohet se ka disa vende për pasurimin e uraniumit. 

Analistët thonë se imazhet komerciale satelitore kanë treguar ndërtime në vitet e fundit në Qendrën kryesore të Kërkimeve Shkencore Bërthamore në Yongbyon, duke përfshirë fabrikën e pasurimit të uraniumit, duke lënë të kuptohet për zgjerim të mundshëm.

Uraniumi është një element radioaktiv që ekziston natyrshëm. Për të prodhuar lëndë djegëse bërthamore, uraniumi i papërpunuar i nënshtrohet proceseve që rezultojnë në një material me një përqendrim të shtuar të izotopit të uraniumit-235.