Botë

Koreja e Veriut teston një raketë balistike

Kim Jong Un

Koreja e Veriut teston një tjetër raketë

Foto: Associated Press

Koreja e Veriut ka testuar një raketë balistike të supozuar me rreze të mesme veprimi të martën, kanë thënë zyrtarët e Koresë së Jugut, manovra e saj e fundit ushtarake që nga deklarata e Vitit të Ri të liderit Kim Jong Un, se ai po i jepte fund një politike që kërkon pajtimin me Jugun.

Pheniani nuk bëri asnjë koment të menjëhershëm për testin e dyshuar, i cili vjen pak më shumë se një javë përpara zgjedhjeve kryesore legjislative në Korenë e Jugut që do të paraqesin një barometër mbështetjeje për presidentin konservator, Yoon Suk Yeol, i cili ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Veriut gjatë mandatit të tij dy-vjeçar, raportoi CNN.

Koreja e Veriut, e cila është përballur me vite me sanksione ndërkombëtare për programin e saj të armëve bërthamore, ka shtuar testet e saj të armëve dhe stërvitjet ushtarake javët e fundit.

Më 19 mars, Pheniani ka thënë se kishte testuar një motor rakete me shumë faza, me lëndë djegëse të ngurtë për një "raketë hipersonike me rreze të mesme veprimi të tipit të ri", sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve Koreane (KCNA).

Kim ka deklaruar pas atij testi se zhvillimi i sistemit IRBM ishte po aq i rëndësishëm për sigurinë e Koresë së Veriut sa edhe raketat e saj balistike ndërkontinentale, të cilat në teori mund të arrijnë në territorin e Shteteve të Bashkuara.