Media shtetërore e Koresë së Veriut (KCNA) ka thënë të mërkurën se rreth 1.4 milionë të rinj kanë aplikuar për t’iu bashkuar ose për t’u rikthyer në ushtri këtë javë, duke e fajësuar Seulin “për inkursionin provokues me dronë, se ka sjellë situatë të tensionuar në prag të luftës”, raporton agjencia Reuters.
Retorika e tensionuar vjen pasi Koreja e Veriut e ka akuzuar Seulin javën e kaluar, për dërgim të dronëve mbi Fenian, të cilët kanë lëshuar “një numër të madh” të fletushkave anti-Veri. Pastaj ka shkatërruar rrugët dhe hekurudhat e përbashkëta koreane në anën e saj të kufirit të martën, duke paralajmëruar se Seuli do “ta paguajë çmimin”.
Të rinjtë, përfshirë studentë dhe zyrtarë të forumit rinor, të cilët kanë nënshkruar për t’iu bashkuar ushtrisë, janë vendosur të luftojnë në një “luftë të shenjtë për shkatërrim të armikut”, ka thënë agjencia zyrtare e lajmeve KCNA.
Fotografitë e publikuara nga KCNA-ja shfaqin të rinjtë duke u paraqitur për t’u bërë pjesë e ushtrisë.
“Nëse shpërthen lufta, ROK-ja do të zhduket nga harta. Meqë kërkon luftë, ne jemi të gatshëm për t’i dhënë fund ekzistencës së saj”, është thënë në raportin e KCNA-së, duke i përdorur inicialet e emrit zyrtar të Koresë së Jugut, Republika e Koresë (ROK).
Koreja e Veriut ka bërë më herët pretendime të ngjashme, rreth rekrutimit të të rinjve në një kohë të rritjes së tensioneve, edhe pse deklarime të tilla janë të vështira për t’u verifikuar nga vendi i izoluar.
Vitin e kaluar, media shtetërore ka raportuar se 800 mijë persona kanë dalë vullnetarë për t’iu bashkuar ushtrisë verikoreane në luftën kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas medias, në vitin 2017 gati 3.5 milionë punonjës, anëtarë të partisë dhe ushtarë kanë dalë vullnetarë për të shërbyer.
Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), Koreja e Veriut ka 1.28 milionë ushtarë aktivë dhe rreth 600 mijë rezerva, me 5.7 milionë punonjës në mesin e njësive të paarmatosura.
Ministria e Mbrojtjes e Seulit nuk ka komentuar rreth raportimit të fundit të KCNA-së, por ka paralajmëruar se nëse Koreja e Veriut përbën rrezik për sigurinë e jugkoreanëve, ky do të jetë “fundi i regjimit të tyre”.