Koreja e Veriut ka lëshuar të dielën dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi drejt detit, ka njoftuar ushtria e Koresë së Jugut.
Veprimi ka ndodhur pak ditë pasi Veriu ka kërcënuar se do të forconte kapacitetet e tij të parandalimit bërthamor dhe do t'u përgjigjej atyre që i ka quajtur veprime armiqësore të SHBA-së.
Këto lëshime janë të radhës në një seri demonstrimesh të armatimeve nga Koreja e Veriut, edhe pse muajin e kaluar presidenti amerikan, Donald Trump, kishte reduktuar një stërvitje të përbashkët ushtarake me Korenë e Jugut, si përpjekje e dukshme për të ringjallur diplomacinë me udhëheqësin e Veriut, Kim Jong Un.
Dy lëshimet e raketave, me një diferencë kohore prej rreth tri orësh, janë kryer nga zona bregdetare lindore e Wonsan-it në Korenë e Veriut.
Raketa e parë ka përshkuar rreth 450 kilometra, ndërsa e dyta ka fluturar më shumë se 600 kilometra. Të dyja ishin drejtuar nga ujërat lindore të vendit, ka njoftuar ushtria e Koresë së Jugut.
Raketat kanë përfunduar në det. Zyra presidenciale e Koresë së Jugut i ka bërë thirrje Koresë së Veriut që të ndalojë menjëherë lëshimet e raketave balistike, të cilat janë të ndaluara nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Edhe
Koreja e Veriut ka deri në 120 koka bërthamore, thotë ajo e Jugut
Ushtria e Jugut ka deklaruar se ruan gatishmërinë për të zmbrapsur çdo provokim nga Veriu, në kuadër të një aleance të fortë me Shtetet e Bashkuara.
Ministria e Mbrojtjes e Japonisë ka njoftuar ndërkaq se kishte diktuar një raketë të dyshuar të Koresë së Veriut më herët gjatë së dielës, por se arma nuk kishte rënë në ujërat e saj territoriale.
-
Koreja e Jugut shkurton kohëzgjatjen e stërvitjeve ushtarake me SHBA-në
-
Presidenti i Koresë së Jugut bën thirrje për pavarësi ushtarake nga SHBA-ja
-
Trump paralajmëron zvogëlim të stërvitjeve ushtarake me Korenë e Jugut pasi qëndroi jashtë luftës me Iranin
-
Koreja e Jugut propozon bisedime për t’i dhënë fund zyrtarisht luftës me Korenë e Veriut