Botë

Koreja e Jugut synon për herë të dytë arrestimin e presidentit, Yoon Suk Yeol

Yoon Suk Yeol

Foto: Associated Press

Hetuesit në Korenë e Jugut po përpiqen sërish të arrestojnë presidentin, Yoon Suk Yeol pas një përpjekjeje të dështuar në fillim të këtij muaji.

Hetuesit po tentojnë sërish arrestimin pasi një gjykatë u mundësoi atyre një zgjatje të urdhrit të mëparshëm, raporton BBC.

Arrestimi pritet të kryhet me ndihmën e detektivëve veteranë të policisë, raportojnë mediat lokale.

Avokatët e Yoon kanë kritikuar planifikimin e përdorimit të oficerëve të policisë, duke thënë se kjo është një tradhti ndaj publikut.

Gjyqi për shkarkimin e Yoon, ka nisur të hënën, por përfundoi brenda katër minutave për shkak të mungesës së tij.

Yoon është në hetim penal për kryengritje pas tentativës së dështuar për ta shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake më 3 dhjetor, një vendim që shtangu Korenë e Jugut dhe nxiti fletë-arrestin e parë për një president në detyrë.

Po ashtu ai do të përballet me seancë në Gjykatën Kushtetuese.