Botë

Koreja e Jugut pretendon se rreth 30 ushtarë verikoreanë u futën shkurtazi në territor të saj

Koreja e Jugut

Ilustrim

Foto: Associated Press

Ushtarët e Koresë së Jugut kanë gjuajtur në shenjë paralajmërimi për të zmbrapsur ushtarët e Koresë së Veriut që kaluan përkohësisht kufirin tokësor, kanë njoftuar autoritetet jugkoreane. 

Të martën ishte hera e dytë këtë muaj që ushtarët verikoreanë u futën në kufirin tokësor të Koresë së Jugut. 

Ushtria e Koresë së Jugut ka vëzhguar një rritje të aktiviteteve ndërtimore të Koresë së Veriut përgjatë kufirit, përfshirë vendosjen e barrierave antitank, forcimin e rrugëve dhe vendosjen e minave tokësore. 
Puna ka vazhduar pandërprerë përkundër disa shpërthimeve të shkaktuara nga minat që kanë shkaktuar vdekjen e disa ushtarëve verikoreanë, ka thënë Shefi i Shtabit të Përbashkët të Jugut. 

Sipas Shtabit, 20 deri 30 ushtarë verikoreanë, derisa po angazhoheshin në punë të paspecifikuara të ndërtimit në anën veriore të kufirit, shkurtazi, rreth orës 8:30 kaluan zonën e demilitarizuar që i ndan dy shtetet. 

Ushtarët verikoreanë u tërhoqën pasi Koreja e Jugut gjuajti në shenjë paralajmërimi. 

Koreja e Jugut po ashtu kishte shtënë në shenjë paralajmërimi më 11 qershor, pasi një grup tjetër  i ushtarëve verikoreanë u futën shkurtazi në zonën e demilitarizuar. 

Shtabi i Përbashkët ka thënë se nuk beson se ushtarët verikoreanë kaluan qëllimshëm kufirin.