Botë

Kongresisti demokrat i kërkon Bidenit të tërhiqet nga gara për president

Joe Biden

Joe Biden

Foto: Associated Press

Një kongresist nga Teksasi është ligjvënësi i parë demokrat në detyrë që kërkoi që Joe Biden të tërhiqet si kandidati presidencial i partisë, pas performancës së tij në debatin e javës së kaluar me ish-presidentin, Donald Trump.

"Unë shpresoj se ai do të marrë vendimin e dhimbshëm dhe të vështirë për t'u tërhequr”, ka thënë Lloyd Doggett në një deklaratë, raporton AP.

Presidenti Biden po përballet me disa reagime pas debatit me ish-presidentin Donald Trump, të enjten e kaluar.

Por pavarësisht panikut brenda partisë për aftësinë e tij mendore, Bideni është zotuar të qëndrojë në garë.

Mosha e tij ka qenë një çështje që diskutohej prej kohësh në këto zgjedhje, pasi votuesit në sondazhe të shumta thonë se mendojnë se ai është shumë i vjetër për të qenë efektiv.

Por presidenti Biden duket i vendosur dhe nuk ka dhënë shenja se do të largohet. Ai është aktualisht kandidati i supozuar i Partisë Demokratike për Shtëpinë e Bardhë.

Në deklaratën e tij, Doggett, 77 vjeç, ka thënë se debati e forcoi mendimin e tij për t'i kërkuar Bidenit të tërhiqej.

“Në vend që të qetësonte votuesit, presidenti dështoi të mbronte në mënyrë efektive arritjet e tij të shumta dhe të ekspozonte gënjeshtrat e shumta të Trumpit”, ka thënë Doggett.

Ai ka shtuar se ekziston një rrezik i madh që Bideni të humbasë ndaj Trumpit për shkak të frikës për moshën e tij.