Pas muajsh vonese, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së është gati të mbajë një votim të shtunën vonë për dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake amerikane për Ukrainën dhe Izraelin.
Të dyja masat kanë kundërshtarë të zëshëm në Kongres, megjithatë, shpresat e tyre për miratim janë varur nga një koalicion i brishtë dypartiak për të kapërcyer pengesat e frikshme procedurale dhe legjislative, raporton BBC.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka thënë se është i vendosur ta çojë çështjen në votim, edhe nëse kjo mund të vërë në rrezik mbajtjen e tij në pushtet.
Votimi për Ukrainën do të ndiqet nga afër në Kiev, i cili ka paralajmëruar për një nevojë urgjente për mbështetje të re nga aleatët e saj, ndërsa Rusia po shënon përparime të qëndrueshme në fushën e betejës.
Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për kalimin përfundimtar të shtunën dhe Senati mund ta miratojë paketën po ashtu këtë fundjavë. Presidenti Joe Biden është zotuar ta nënshkruajë atë në ligj.
Propozimi i ndihmës së jashtme të Johnsonit ofron 60.8 miliardë dollarë për Ukrainën, 26.4 miliardë dollarë për Izraelin dhe 8.1 miliardë dollarë për rajonin Indo-Paqësor, përfshirë Tajvanin. Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për secilin komponent individualisht, duke rritur mundësinë që disa komponentë të miratohen dhe të tjerët të dështojnë.
Kryetari pritet të vë në votim edhe një pjesë të katërt të legjislacionit, i cili përfshin kërkesën që kompania kineze ByteDance të heqë dorë nga aplikacioni i mediave sociale TikTok, të autorizojë shitjen e aseteve të ngrira ruse dhe të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, Iranit dhe Kinës.
Çfarëdo që të kalojë do të kombinohet në një projektligj që më pas do të duhet të miratohet në tërësi nga Senati përpara se të arrijë në tryezën e presidentit.
Johnsoni ka premtuar gjithashtu të prezantojë një projekt-ligj për reformën e imigracionit që përmban dispozita të favorizuara nga republikanët konservatorë në një përpjekje për të fituar mbështetjen e tyre për paketën e ndihmës.
LEXO EDHE: