Duke folur pas takimit të rrallë të kabinetit qeveritar me presidentin Emmanuel Macron, Jean-Noel Barrot dukej se rriti presionin ndaj Teheranit me deklaratat e tij.
Macroni ka mbledhur të mërkurën ministrat kyç dhe ekspertët për të diskutuar për Iranin, mes tensioneve në rritje mes Teheranit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, raportoi Reuters.
Një mbledhje e tillë kabineti dedikuar një teme specifike është e rrallë në Francë dhe tregon për shqetësimet në ngritje mes aleatëve evropianë të Washingtonit se SHBA-ja dhe Izraeli mund të nisin sulme ajrore në objektet bërthamore të Iranit nëse nuk arrihet një marrëveshje së shpejti.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka forcuar kapacitetet ushtarake të SHBA-së në Lindjen e Mesme me më shumë avionë luftarakë, ka thënë Pentagoni të martën. Ndërkohë, SHBA-ja ka nisur një fushatë bombardimi kundër grupit Houthi që kontrollon shumicën e Jemenit dhe mbështetet nga Irani.
Një zyrtar i lartë evropian ka thënë se strategët kanë ngrehur shqetësimin nëse kjo fushatë është shenjë paralajmëruese e SHBA-së për një goditje mbi Iranin në muajt në vijim.
Trumpi, i cili e ka nxitur liderin suprem iranian të angazhohet menjëherë në negociata, ka kërcënuar Iranin të dielën me bombardim dhe tarifa të tjera nëse nuk dakordohet për një marrëveshje për programin bërthamor.