I dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir Pedersen, ka paralajmëruar se konflikti "nuk ka përfunduar" edhe pas rrëzimit dramatik të ish-presidentit Bashar al-Assad, duke theksuar përplasjet midis grupeve të mbështetura nga Turqia dhe grupeve kurde në veri.
Rebelët e Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA) të mbështetur nga Turqia janë përfshirë në përleshje me Forcat Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët dhe të mbështetur nga SHBA-ja, raporton The Guardian.
Pedersen gjithashtu i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që Izraeli "të ndërpresë të gjitha aktivitetet në Golanin e pushtuar sirian".
“Ka pasur armiqësi të theksuar në dy javët e fundit, përpara se të ndërmjetësohej një armëpushim.
Një armëpushim pesë-ditor tani ka skaduar dhe unë jam seriozisht i shqetësuar për raportet e përshkallëzimit ushtarak. Një përshkallëzim i tillë mund të jetë katastrofik”, ka thënë Pedersen.
Komentet vijnë pasi Ahmed al-Sharaa, udhëheqësi i grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS) që përmbysi regjimin e Assadit, ka thënë se të gjitha fraksionet rebele do të "shpërndahen dhe luftëtarët do të trajnohen për t'u bashkuar me radhët e ministrisë së Mbrojtjes".
Grupi HTS janë sundimtarët e rinj de-fakto të Sirisë.
Pedersen ka thënë se ishte takuar me udhëheqjen e re dhe ka bërë thirrje për t'i dhënë fund sanksioneve për të lejuar rindërtimin e Sirisë.
“Lëvizja konkrete për një tranzicion politik gjithëpërfshirës do të jetë çelësi për të siguruar që Siria të marrë mbështetjen ekonomike që i nevojitet”, është shprehur Pedersen.