Botë

Komshiqi dhe Xhaferoviqi refuzojnë takimin me Lavrovin në Sarajevë

Foto: Reuters

Pjesëtari kroat dhe ai boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjë-Hercegovinës kanë refuzuar që të takohen me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në këtë shtet.

Ata thanë se Lavrovi nuk ka treguar respekt për shtetin e Bosnjës, kur gjatë takimit të tij në Sarajevë me përfaqësuesin serb të presidencës, Milorad Dodik, në sfond është vendosur vetëm flamuri rus dhe jo edhe ai i Bosnjës.

Këtë gjë, Komshiq e interpretoi si mesazh të mohimit të shtetit. Dhe për këtë arsye, ai dhe anëtari boshnjak i presidencës, Shefik Xhaferoviq, nuk morën pjesë në takimin e planifikuar me Lavrovin në presidencë.

Komshiq për më tepër e kritikoi Lavrovin për mbështetjen e rezolutës parlamentare të Republikës serbe rreth neutralitetit ushtarak. Ai tha se ndonëse është i vetëdijshëm se Bosnja është e vogël dhe e pafuqishme, ajo prapëseprapë nuk do të bëhet peng i lojërave të Rusisë, për sa u përket marrëdhënieve të vendit me Bashkimin Evropian dhe shtetet e NATO-s.

Lavrov nuk i komentoi refuzimin e dyshes dhe komentet e Komshiqit.