Rusia mund të pajtohet që asetet e ngrira në Evropë, në vlerë prej 300 miliardë dollarësh, të përdoren për “rindërtimin e Ukrainës”, në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme për paqe, kanë deklaruar tri burime për “Reuters”.
Siç ka raportuar agjencia prestigjioze e lajmeve, Rusia do të insistojë që një pjesë e parave të shpenzohet në një të pestën e territorit që forcat ruse kontrollojnë.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zhvilluar bisedime për përfundimin e luftës në Ukrainë më 18 shkurt në Arabinë Saudite dhe të dy presidentët, i SHBA-së Donald Trump dhe i Rusisë, Vladimir Putin, kanë deklaruar se shpresojnë që të takohen në të ardhmen e afërt.
Pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, SHBA-ja dhe aleatët e saj ndaluan transaksionet me Bankën Qendrore të Rusisë dhe Ministrinë e Financave, duke bllokuar 300 deri në 350 miliardë dollarë të aseteve sovrane të Rusisë, kryesisht obligacione qeveritare evropiane, amerikane dhe britanike të mbajtura në një depozitë evropiane sigurimesh.
Derisa bisedimet në mes Rusisë dhe SHBA-së janë në fazë shumë të hershme, një ide po përmendet në Moskë se Rusia mund të propozojë përdorimin e një pjese të madhe të rezervave të ngrira për ta rindërtuar Ukrainën si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të mundshme, sipas tre burimeve të “Reutersit”.
Pjesë të mëdha të Ukrainës lindore janë shkatërruar nga lufta dhe qindra mijëra ushtarë janë vrarë ose lënduar nga të dyja anët derisa miliona ukrainas kanë ikur. Një vit më parë, Banka Botërore ka llogaritur se rindërtimi do të kushtonte rreth 486 miliardë dollarë.
Burimet deklaruan në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve dhe sepse diskutimet janë akoma preliminare. Kremlini nuk i ka komentuar këto pretendime.
Ideja se Rusia mund të pajtohet për përdorimin e parave të ngrira për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës nuk është raportuar më herët, dhe mund të japë një pasqyrë të asaj se çfarë kompromise është në gjendje të bëjë Rusia në bisedimet me Washingtonin për të përfunduar luftën, në kohën kur Trumpi po shtyn për qasje të SHBA-së në mineralet ukrainase për të paguar mbështetjen e SHBA-së.
Kërkesat kryesore të Rusisë për të ndaluar luftimet përfshijnë tërheqjen e trupave të Kievit nga territoret që Rusia i pretendon si të vetat dhe të shuajë ambiciet e Ukrainës për anëtarësim në NATO. Ukraina kërkon që Rusia t’i tërheqë trupat nga territori i saj, dhe do garantime të sigurisë nga Perëndimi. Administrata e Trumpit deklaron se Ukraina ka qëllime joreale “iluzionare”.
Nuk dihet akoma nëse ideja për shfrytëzimin e aseteve të ngrira është diskutuar në mes të Rusisë dhe SHBA-së në takimin në Riad.
Grupi i 7 vendeve më të industrializuara(G7) ka deklaruar në vitin 2023 se fondet sovrane ruse do të qëndrojnë të ngrira derisa Rusia të paguajë për dëmet që i ka bërë në Ukrainë. Trumpi ka deklaruar se ai do të donte ta shihte përsëri Rusinë në G7.
Guvernatorja e Bankës Qendrore ruse, Elvira Nabiullina ka deklaruar të enjten se banka nuk ishte pjesë e asnjë bisedimi në largimin e sanksioneve apo shkrirjen e rezervave ruse.