Botë

Koha që Bosnja “ta heqë qafe ndikimin rus”

Pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor, më me shumë gjasë në Bosnjë-Hercegovinë, një vend i vogël që është kthyer në fushë beteje mes NATO-s dhe Moskës. Analistët kanë thënë për “Al-Jazeeran” se kriza në Ukrainë paraqet “një mundësi unike për Bosnjën për t’iu dhënë një goditje vendimtare separatistëve të Putinit” në vendin ballkanik

Sarajevë, 1 mars - Tani ka një mundësi që vendet e cenueshme si Bosnja ta shkundin ndikimin rus dhe të ndërmarrin hapa për t’u anëtarësuar në NATO, thonë analistët.

Pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor, më me shumë gjasë në Bosnjë-Hercegovinë, një vend i vogël që është kthyer në fushëbeteje mes NATO-s dhe Moskës, kanë paralajmëruar zyrtarët dhe analistët.

Analistët kanë thënë për “Al-Jazeeran” se kriza në Ukrainë paraqet “një mundësi unike për Bosnjën për t’ua dhënë një goditje vendimtare separatistëve të Putinit” në vendin ballkanik.

Kërcënimi me destabilitet

Të enjten, EUFOR-i, forca paqeruajtëse e BE-së, ka njoftuar për vendosjen e 500 forcave rezervë shtesë në Bosnje, në krye të 600 trupave ekzistuese, mes frikës se kriza në Ukrainë “mund të shkaktojë me gjasë destabilitet në Bosnjë”.

Një ditë më vonë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka theksuar se nevojitet më shumë mbështetje për “vendet si Gjeorgjia, Moldavia dhe Bosnjë-Hercegovina” për t’i ndihmuar ato “të ndjekin rrugën që kanë zgjedhur me vullnet të lirë”.

“Kremlini po përpiqet të bëjë që NATO-ja dhe BE-ja të ofrojnë më pak mbështetje për partnerët tanë”, ka thënë ai.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i bëri jehonë këtij shqetësimi të hënën, duke thënë: “Jemi të shqetësuar se mund të ketë më shumë konflikte... se diçka mund të ndodhë përsëri në Ballkan”.

Bosnja, Kosova dhe Serbia janë të vetmet vende në Ballkanin Perëndimor që nuk janë të anëtarësuara në aleancën e NATO-s.

Bosnja e ka bërë një objektiv strategjik anëtarësimin në NATO dhe BE, mirëpo serbët e Bosnjës, të udhëhequr nga anëtari serb i Presidencës dhe aleati i Putinit, Milorad Dodik, kundërshtojnë bashkimin me aleancën ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja.

Boshnjakët, serbët dhe kroatët përbëjnë tri etnitë kryesore në Bosnjë. Sipas regjistrimit të fundit të vitit 2013, boshnjakët përbëjnë 50.11 për qind, serbët e Bosnjës 30.78 për qind të popullsisë dhe kroatët 15.43 për qind.

Ambasada ruse në kryeqytetin boshnjak Sarajevë kishte paralajmëruar vitin e kaluar se nëse Bosnja merr hapa drejt anëtarësimit në NATO, “vendi ynë do të duhet të reagojë ndaj këtij akti armiqësor”.

Qëllimi i NATO-s është të “luftojë kundër Rusisë” dhe bashkimi me NATO-n do ta detyrojë Bosnjën të marrë një anë në “konfrontimin ushtarako-politik", ka thënë ai.

“Mos thuaj më vonë se nuk e dije”

Dushanka Majkiq, një nga përfaqësueset serbe në Dhomën e Popullit të Bosnjës dhe anëtare e partisë nacionaliste SNSD të Dodikut, ka përsëritur të premten mesazhin e Rusisë.

“Një kujtesë: Moska tha në mars 2021 se do të reagonte nëse Bosnjë-Hercegovina ndërmerr hapa drejt anëtarësimit në NATO. Mos thuaj më vonë se nuk e dije”, shkroi Majkiq në Twitter.

Shumë boshnjakë e kanë kritikuar postimin e saj, duke e quajtur atë një kërcënim.

Pasi i kanë mbijetuar një lufte në fillim të viteve 1990, shumë boshnjakë kanë qenë të kujdesshëm se vendi i tyre mund të jetë objektivi tjetër.

Mes krizës në Ukrainë, Ambasada ruse në Bosnje ka njoftuar në një postim në Facebook të hënën në mbrëmje se ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka folur me Dodikun.

Ndjenja të ngjashme shqetësimi u ndien edhe në Kosovë, e cila arriti pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Një fushatë bombardimi e NATO-s në vitin 1999 kundër forcave jugosllave dhe serbe i dha fund spastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë dhe është arsyeja pse Serbia refuzon të anëtarësohet ndonjëherë në aleancë.

Më shumë se 100 vende, përfshirë SHBA-në, e kanë njohur Kosovën, mirëpo Serbia dhe aleatët e saj, Rusia dhe Kina, refuzojnë ta bëjnë këtë. Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, pasi Rusia mund të përdorë veton e saj në Këshillin e Sigurimit.

Të dielën, ministri i Mbrojtjes i Kosovës kërkoi nga SHBA-ja një bazë të përhershme ushtarake në vend dhe anëtarësim më të shpejtë në NATO.

Fitorja e Putinit do t’i jepte zemër Dodikut

Reuf Bajroviq, bashkëkryetar i organizatës së Aleancës SHBA-Evropë, i tha “Al-Jazeeras” se “të përfituarit e Putinit në Ballkan do të vëzhgojnë nga afër agresionin kundër Ukrainës për shkak të implikimeve”.

“Përkatësisht, fitorja e shpejtë e Putinit do t'i inkurajojë përfaqësuesit e tij që të përpiqen të përdorin dhunën për të arritur qëllimet e tyre politike. Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e Milorad Dodikut dhe udhëheqësit të partisë nacionaliste kroate të Bosnjës HDZ, Dragan Çoviq, – aleatët kryesorë të Putinit në Bosnje”.

Një krizë tashmë ka filluar të shpërthejë në Bosnje që nga tetori, kur udhëheqësi secesionist Dodik njoftoi se entiteti i Republika Srpska i udhëhequr nga serbët do të tërhiqet nga institucionet kryesore shtetërore dhe do të formojë institucionet e veta të veçanta, duke përfshirë një ushtri serbe.

Ky veprim është shkelje e Marrëveshjes së Paqes të Daytonit, e nënshkruar në dhjetor 1995, e cila i dha fund zyrtarisht luftës me vendet fqinje, Kroacinë dhe Serbinë.

Përfaqësuesi i lartë, Christian Schmidt, i cili mbikëqyr zbatimin e marrëveshjeve të paqes, i përshkroi lëvizjet si “të barabarta me shkëputjen”.

Për vite me radhë Dodik ka kërcënuar se do ta shpërbëjë Bosnjën, duke thënë se bashkimi territorial i Republikës Srpska me Serbinë do të ishte “korniza përfundimtare”.

Çoviqi dhe liderë të tjerë nacionalistë kroatë kanë vite që po bëjnë presion për reforma zgjedhore, për të cilat analistët kanë thënë se do të rezultonin në një entitet të tretë kroat de fakto dhe “të rrënjosnin më tej oligarkinë etnoterritoriale të vendit”.

Image

Për vite me radhë Dodik ka kërcënuar se do të shpërbëjë Bosnjën, duke thënë se bashkimi territorial i Republikës Srpska me Serbinë do të ishte “korniza përfundimtare”

Hendeku i sigurisë

Kurt Bassuener, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit, një grup i pavarur mendimesh, me qendër në Berlin, i tha “Al-Jazeeras” se “ka një potencial real që rusët të përpiqen të aktivizojnë partnerët e tyre, Dodik, Vuçiq dhe le të mos e harrojmë Çoviqin.

Në një postim në Facebook të dielën, Ambasada ruse në Bosnje akuzoi Uashingtonin për “ndërhyrje në dialogun brenda Bosnjë-Hercegovinës, duke vënë kundër njëri-tjetrit popujt përbërës dhe duke kundërshtuar heqjen e protektoratit të huaj anakronik të përfaqësuar nga Zyra e përfaqësuesit të lartë”.

Rusia ka qenë në mosmarrëveshje me komunitetin ndërkombëtar lidhur me emërimin e Schmidt si përfaqësuesi i ri i lartë i Bosnjës dhe është përpjekur ta mbyllë tërësisht zyrën e mbështetur nga OKB-ja.

"Rusia ka frikë se një version i përforcuar i institucionit do të rifitojë rolin e tij në mbrojtjen e sovranitetit të Bosnjës dhe mbështetjen e reformave kushtetuese që Bosnja kërkon si për anëtarësimin në BE ashtu edhe në NATO”, shkroi Majda Ruge në një analizë për Këshillin Evropian për marrëdhëniet e jashtme.

Bassuener ka theksuar për “Al-Jazeeran” se “Bosnja ka qenë e cenueshme për një kohë shumë të gjatë dhe Perëndimi ka plotësisht fuqi për ta bërë atë më pak të cenueshme”.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është planifikuar të shqyrtojë situatën e Bosnjës në nëntor dhe të votojë për zgjatjen vjetore të EUFOR-it.

“Në rrethanat aktuale, mund të na garantohet pothuajse një veto ruse në nëntor për një zgjatje të EUFOR-it. Hendeku i sigurisë po ndodh tani”, ka thënë Bassuener.

Derisa tensionet ndërtohen në Ballkanin Perëndimor, disa kanë parë mundësi për ndryshim.

Këshilli Këshillimor për Bosnjë-Hercegovinën me qendër në Uashington DC vuri në dukje në Twitter, të dielën, se kriza në Ukrainë paraqet “një mundësi unike për Bosnjën për t'u dhënë një goditje vendimtare separatistëve të mbështetur nga Putini në Bosnje”.

Mundësi e artë

Këshilli ka sugjeruar “izolimin dhe shkatërrimin e strukturave që janë krahu i zgjatur i Kremlinit.

“Pse të presim që Kremlini të përdorë strukturat e tyre në Ballkan si një levë kundër Evropës?”, ka spikatur Ajla Delkiq, lidere e Këshillit Këshillëdhënës.

“Ne duhet ta çmontojmë paraprakisht aftësinë e Putinit për ta projektuar pushtetin dhe për të rregulluar gabimet e bëra në vitet 1990, që lejuan aktorët e këqij të përdorin forcën për të copëtuar territorin dhe për të kryer gjenocid”.

Bassuener tha se tani ekziston një potencial që të ndodhin ndryshime të mëdha, pasi shumë politika të mbajtura prej kohësh “po bien”.

“Shpejtësia e evolucionit të politikave në Perëndimin demokratik në ditët e fundit është vërtet mahnitëse… Nuk ka dyshim që të shkosh nga ku ishim atje ku jemi është një hap mjaft i madh – me sanksionet, me Gjermaninë e gatshme të dërgojë armë, me gjithë këto.

“Mendoj se potenciali për ta siguruar frontin ballkanik është shumë i lartë ... Tani është koha për të zhvilluar një strategji”, ka theksuar ai.

Bajroviq ra dakord se Bosnja tani “ka një shans për të hequr qafe ndikimin e Rusisë dhe për të bërë hapin përfundimtar drejt anëtarësimit në NATO.

“Aktorët lokalë pro-NATO-s duhet të bëjnë gjithçka në fuqinë e tyre për të përmbushur kriteret, por Perëndimi duhet t’i ndihmojë forcat pro-NATO-s në Bosnje për të mposhtur opozitën ndaj anëtarësimit në Bosnje”, tha Bajroviq.

“Është një mundësi historike për të dyja palët”.

Përktheu: Blerta Haxhiu