Botë

Koalicioni i majtë në Francë nis bisedimet për formimin e qeverisë

Koalicioni i majtë në Francë

Koalicioni i majtë në Francë

Foto: Associated Press

Ish-presidenti socialist Francois Hollande dhe ligjvënës të tjerë të sapozgjedhur francezë nga koalicioni i majtë bënë një hyrje madhështore të martën në Asamblenë Kombëtare për bisedimet me të cilat synohet formimi i një qeverie.

Koalicioni fitoi shumicën e vendeve, por asnjë krah nuk fitoi shumicën absolute pas rundit të dytë të zgjedhjeve parlamentare të dielën, raporton AP.

Ligjvënësit nga partia e Gjelbër dhe e majta ekstreme, duke përfshirë liderin e saj Jean-Luc Mélenchon, arritën në Asamblenë Kombëtare të martën më herët.

Hollande, i zgjedhur nga zona e tij elektorale Correze në Francën jugperëndimore, iu bashkua ligjvënësve të tjerë të sapozgjedhur nga Partia Socialiste.

Presidenti Emmanuel Macron i ka kërkuar kryeministrit të tij, Gabriel Attal që të vazhdojë të qëndrojë në detyre, më pak se tri javë para fillimit të Lojërave Olimpike të Parisit.

Zgjedhjet e së dielës nuk lanë asnjë fraksion as afër shumicës së nevojshme për të formuar një qeveri.

Ndërsa një parlament i thyer nuk është i pazakontë në Evropë, situata është e paprecedentë në historinë moderne të Francës.

Udhëheqësit e koalicionit të majtë, Fronti i Ri Popullor, i cili fitoi më shumë vende, thonë se duhet të formojnë një qeveri të re.

Tri partitë kryesore në koalicion - e majta e fortë, Franca e Papërkulur, Socialistët dhe të Gjelbërit - filluan negociatat për të gjetur një kandidat për kryeministër.

Bisedimet e tyre janë të ndërlikuara nga përçarjet e brendshme.