Botë

Klitschko i druhet një sulmi potencial rus me armë kimike apo biologjike

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko ka thënë të dielën se druhet se Rusia mund të përdorë armë kimike apo biologjike në Ukrainë, raporton CNN.

“Sigurisht se jemi të shqetësuar. Sigurisht se ata mund të përdorin. Putini në fillim ka thënë se është luftë kundër forcave ushtarake, por tash po shohim mijëra civilë e fëmijë duke vdekur. Kjo luftë është kundër gjithë popullatës ukrainase”, ka thënë Klitschko.

Derisa SHBA-ja deri tash ka thënë se nuk ka dëshmi se Rusia planifikon të përdorë armë kimike në Ukrainë, Shtëpia e Bardhë kishte paralajmëruar më herët se këto armë mund të përdoreshin nga pala ruse në konflikt.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, të premten ka thënë se Rusia do të paguante çmim t ë rëndë nëse përdorë armë kimike në Ukrainë.

E presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mund të përdorë edhe armë kimike pasi është në një situatë të vështirë.