Ministria e Jashtme e Kirgistanit u ka kërkuar qytetarëve të vendit që t’i evitojnë udhëtimet e panevojshme në Rusi pas sulmit në Moskë, për të cilin u fajësuan katër shtetas të Taxhikistanit, raporton “Reuters”.
Zhvillimet e fundit kanë rritur ndjenjën tashmë ekzistuese kundër emigrantëve në Rusi, sidomos ndaj punëtorëve emigrantë nga vendet myslimane të Azisë Qendrore.
Një burrë me origjinë nga Kirgistani është vendosur në paraburgim nga një gjykatë ruse të martën, i akuzuar se ka strehuar katër sulmuesit e dyshuar, të cilët janë me origjinë taxhike.
Shteti Islamik ka thënë se ishte përgjegjës për sulmin në Moskë, ku janë vrarë 139 njerëz dhe janë lënduar 182 të tjerë. Grupi nuk ka identifikuar sulmuesit.
Mijëra njerëz nga Taxhikistani, Uzbekistani dhe Kirgistani punojnë në Rusi dhe disa prej tyre kanë thënë se puna aty është bërë shumë e vështirë. Disa pasagjerë refuzojnë të hipin në taksitë që kanë shoferë taxhikë.
Në një njoftim të lëshuar këtë javë, Ministria e Jashtme e Kirgistanit u ka bërë thirrje qytetarëve që ta vizitojnë Rusinë vetëm nëse është e nevojshme dhe, nëse e bëjnë këtë, të sigurohen që të kenë të gjitha dokumentet e kërkuara në çdo kohë dhe të respektojnë urdhrat ligjorë të policisë ruse.