Botë

Kina nis lojëra luftarake rreth Tajvanit, shkakton zemërimin në Taipei e shqetësim nga SHBA

Stërvitjet ushtarake

Komanda e Teatrit Lindor të Ushtrisë Kineze ka thënë se stërvitjet "Joint Sword-2024B" po zhvilloheshin në ngushticën e Tajvanit dhe zonat në veri, jug dhe lindje të Tajvanit

Foto: Associated Press

Ushtria e Kinës ka nisur një rund të ri lojërash luftarake pranë Tajvanit të hënën, duke thënë se ishte një paralajmërim për "aktet separatiste të forcave të pavarësisë së Tajvanit”.

Tajvani i qeverisur në mënyrë demokratike, të cilin Kina e sheh si territorin e saj, ka qenë në gatishmëri për më shumë lojëra luftarake, që nga fjalimi i javës së kaluar për ditën kombëtare, i presidentit Lai Ching-te, raporton Reuters.

Ushtrija kineze publikoi një hartë që tregonte nëntë zona rreth Tajvanit ku po zhvilloheshin stërvitjet

Fjalimi i Lait u dënua nga Pekini zyrtar pasi ai kishte deklaruar se Kina nuk kishte të drejtë të përfaqësonte Tajvanin edhe pse ai ofroi të bashkëpunonte me Pekinin.

Komanda e Teatrit Lindor të Ushtrisë Kineze ka thënë se stërvitjet "Joint Sword-2024B" po zhvilloheshin në ngushticën e Tajvanit dhe zonat në veri, jug dhe lindje të Tajvanit.

VIDEO:

 

 

"Stërvitja shërben gjithashtu si një paralajmërim i ashpër ndaj akteve separatiste të forcave të pavarësisë së Tajvanit. Është një operacion legjitim dhe i domosdoshëm për ruajtjen e sovranitetit të shtetit dhe unitetit kombëtar”, ka thënë komanda në një deklaratë të transmetuar në kinezisht dhe anglisht. 

Në një lëvizje paralele të hënën, Pekini sanksionoi një manjat të njohur teknologjik nga Tajvani, Robert Tsao dhe një ligjvënës, për aktivitete separatiste.

Komanda nuk deklaroi se kur do të përfundonin stërvitjet.

Ajo publikoi një hartë që tregonte nëntë zona rreth Tajvanit ku po zhvilloheshin stërvitjet - dy në bregun lindor të ishullit, tre në bregun perëndimor, një në veri dhe tre rreth ishujve të kontrolluar nga Tajvani pranë bregut kinez.