Botë

Kina ndalon eksportin e mineraleve kryesore në SHBA

Kina dhe SHBA-ja

Foto: Associated Press

Kina e ka ndaluar eksportin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të pajisjeve të lidhura me mineralet galium, germanium dhe antimon, që kanë përdorime të mundshme ushtarake.

Lajmi nga Ministria e Tregtisë në Kinë, ka ardhur një ditë pas goditjes së fundit të Washingtonit në sektorin e çipave të Kinës, raporton Reuters.

Direktiva e Pekinit për të ashtuquajturat pajisje me përdorim të dyfishtë ushtarak dhe civil – e cila thekson shqetësimet e “sigurisë kombëtare” dhe hyn në fuqi menjëherë, kërkon gjithashtu rishikim më të rreptë të përdorimit përfundimtar për artikujt e grafitit që dërgohen në SHBA.

“Në princip, eksporti i galiumit, germaniumit, antimonit dhe metaleve shumë të rënda në SHBA nuk do të lejohet”, ka thënë Ministria.

Vendimi vjen në përshkallëzimin më të fundit të tensioneve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë, tash kur presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump ka paralajmëruar masa të shtuara ndaj Kinës.

Megjithatë, nuk ka pasur dërgesa kineze të germaniumit ose galiumit të përpunuar dhe të papërpunuar në SHBA këtë vit deri në tetor, edhe pse ka qenë blerësi i katërt dhe i pestë më i madh i mineraleve një vit më herët, sipas të dhënave kineze të doganave.

Galiumi dhe germaniumi përdoren në gjysmëpërçues, ndërsa germaniumi përdoret gjithashtu në teknologjinë infra të kuqe, kabllot me fibra optike dhe panele diellore.

Dërgesat e përgjithshme të Kinës në tetor të produkteve të antimonit ranë për 97 për qind nga shtatori, pasi masa e Pekinit për t’i kufizuar eksportet hyri në fuqi.

Vitin e kaluar, Kina ka zënë 48 për qind të tregut global për antimonin e minuar globalisht, i cili përdoret në municione, raketa infra të kuqe, armë bërthamore dhe syze për shikimin gjatë natës, si dhe në bateri dhe pajisje fotovoltaike.

Këtë vit, Kina ka zënë 59.2 për qind të tregut global për prodhimin e germaniumit të rafinuar dhe 98.8 për qind për prodhimin e galiumit të rafinuar, sipas kompanisp konsulente “Project Blue”