Botë

Kina largon nga puna diplomatët në Britani

Vendimi i Kinës për t’i larguar diplomatët shihet si përpjekje për të de-përshkallëzuar mosmarrëveshjen dhe për t’i shmangur shkëmbimet e mëtejshme mes saj dhe Britanisë së Madhe

Kina i ka larguar gjashtë zyrtarë nga Britania – përfshirë një nga diplomatët e saj më të lartë në Mbretërinë e Bashkuar – dy muaj pas dhunës në Konsullatën e saj në Manchester.

Mbretëria e Bashkuar kishte kërkuar që zyrtarët të heqin dorë nga e drejta e tyre për imunitet diplomatik për t’i lejuar detektivët t’i marrin në pyetje për incidentin e tetorit.

Sekretari i Jashtëm, James Cleverly, ka shprehur zhgënjimin e tij që asnjë nga të gjashtët nuk do të përballet tani me drejtësinë.

Grupi përfshinte konsullin e përgjithshëm, Zheng Xiyuan, i cili ka mohuar se kishte rrahur një protestues.

Protestuesi pro-demokracisë, Bob Chan, një hongkonger, u plagos pasi u tërhoq zvarrë në mjediset e Konsullatës dhe u rrah nga burrat më 16 tetor.

Zheng, i cili ishte efektivisht në krye të postës kineze të Manchesterit, mohoi të kishte sulmuar Chanin pasi ai u identifikua në fotografi dhe u akuzua për një gjë të tillë nga një deputet i lartë konservator.

Por më vonë ai u ka thënë gazetarëve se ishte përpjekur t’i mbronte kolegët e tij, duke shtuar se Chan “po abuzonte me vendin tim, liderin tim. Mendoj se kjo është detyra ime”.

Vendimi i Kinës për t’i larguar diplomatët shihet si përpjekje për të de-përshkallëzuar mosmarrëveshjen dhe për t’i shmangur shkëmbimet e mëtejshme mes saj dhe Britanisë së Madhe.

Zyrtarët e Mbretërisë së Bashkuar bënë të qartë se Ambasada kineze në Londër ishte plotësisht e vetëdijshme se nëse diplomatët nuk pranonin të merrnin pjesë në hetimin e policisë, atëherë do të kishte pasoja të mëtejshme.

Kjo ka të ngjarë të ketë përfshirë burrat që janë shpallur persona non grata dhe janë dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar.

Në vend të kësaj, Kina ka zgjedhur ta shmangë këtë rezultat duke tërhequr vetë diplomatët.

Cleverly ka theksuar se largimi nga Kina i Zhengut dhe i pesë zyrtarëve të tjerë tregon seriozitetin e reagimit të Mbretërisë së Bashkuar ndaj incidentit.

“Ne do të vazhdojmë në skenën botërore dhe brenda vendit t’i përmbahemi sundimit të ligjit dhe presim që të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar në një deklaratë me shkrim në Dhomën e Komunave: “Jam i zhgënjyer që këta individë nuk do të intervistohen ose nuk do të përballen me drejtësinë”.

“Megjithatë, është e drejtë që ata që janë përgjegjës për skenat e turpshme në Manchester nuk janë më - ose së shpejti do të pushojnë së qeni - personel konsullor i akredituar në Mbretërinë e Bashkuar”.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar kishte informuar Kinën se gjashtë zyrtarët duhet të heqin dorë nga e drejta e tyre për imunitet diplomatik, një status i rezervuar për diplomatët e huaj, deri në këtë javë.

Në teori, imuniteti diplomatik do të thotë se zyrtarët dhe familjet e tyre nuk mund të arrestohen ose ndiqen penalisht për ndonjë krim ose çështje civile.

Kina fillimisht kishte pretenduar se kishte pasur përpjekje për të hyrë ilegalisht në mjediset e Konsullatës.

Policia në atë kohë ka njoftuar se deri në 40 protestues ishin mbledhur jashtë Konsullatës - zyrë më e vogël diplomatike që është territor i Mbretërisë së Bashkuar, por nuk mund të hyhet pa pëlqim.

Përktheu: Blerta Haxhiu