Botë

Kina kritikon SHBA-në lidhur me rezolutën e KS të OKB-së për Gazën

Wang Yi - minister i Jashtem i Kines

Foto: Associated Press

Ministrat e jashtëm të Kinës dhe Indonezisë kanë bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza pas zhvillimit të një takimi mes tyre të enjten.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Indonezisë, Retno Marsudi ka thënë se të dy vendet ndajnë të njëjtën pikëpamje për rëndësinë e një armëpushimi si dhe të zgjidhjes së konfliktit, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

E ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi ka fajësuar Shtetet e Bashkuara lidhur me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gazën.

Përpara miratimit të një rezolute për armëpushim në fund të marsit, SHBA-ja i vuri veton një numri rezolutash të propozuara të Këshillit të Sigurimit, sepse ato nuk e lidhnin armëpushimin drejtpërdrejt me lirimin e pengjeve izraelite ose nuk dënonin sulmet e Hamasit që nxitën luftën.

Zyrtarët amerikanë kanë argumentuar se armëpushimi dhe lirimi i pengjeve janë të lidhura, ndërsa Rusia, Kina dhe shumë anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit kanë përkrahur thirrjet e pakushtëzuara për armëpushim.