Diplomatët e lartë nga Kina, Irani dhe Rusia janë mbledhur në Pekin të premten për bisedime rreth çështjes bërthamore të Iranit, disa ditë pasi Irani refuzoi propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vazhduar dialogun mbi programin bërthamor, raporton Reuters.
Në vitin 2015, Irani pati arritur marrëveshje me SHBA-të, Rusinë, Kinën, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë dhe ishte pajtuar të kufizonte programin bërthamor të tij në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Megjithatë, në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë si president, Trumpi kishte marrë vendim për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore.
Javën e kaluar, presidenti amerikan ka deklaruar se i ka dërguar një letër lidershipit politik të Republikës Islamike të Iranit, konkretisht liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei, duke sugjeruar mbajtjen e bisedimeve të reja.
Por, lideri suprem iranian, ka refuzuar bisedimet e reja me arsyetimin se ato janë thjesht pretekst i palës amerikane, që ka për qëllim t’i diktojë kushte të reja Iranit dhe të kufizojë sferën e ndikimit të vendit të tij në rajonin e Lindjes së Mesme.
Rusia, Kina e Irani pajtohen për rifillim të bisedimeve shumëpalëshe për programin bërthamor
Përfaqësuesit nga Kina, Rusia, dhe Irani kanë bërë thirrje të premten për heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Iranit dhe rifillim të bisedimeve shumëpalëshe mbi çështjen e programit bërthamor të Iranit, shkruan AP.
Deklarata e përbashkët e takimit ka theksuar “nevojën për heqjen e të gjitha sanksioneve të paligjshme unilaterale”, me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kinës, Ma Zhaoxum, që e lexonte atë krah për krah me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Ryabkov Sergey Alexeevich, dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Iranit, Kazem Gharibabadi.
“Të tri vendet kanë përsëritur se angazhimi politik e diplomatik, si dhe dialogu i bazuar në parimin e respektit të ndërsjellë vazhdon të mbetet zgjidhja më e qëndrueshme dhe praktike sa i përket kësaj çështje”, ka lexuar Ma.
Kina dhe Rusia janë të dyja anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, së bashku me Francën dhe Britaninë, që morën pjesë në marrëveshjen bërthamore me Iranin të arritur në vitin 2015, përkrah Gjermanisë dhe BE-së.
Presidenti amerikan, Donald Trump, e tërhoqi Amerikën nga kjo marrëveshje gjatë mandatit të tij të parë, duke prodhuar tensione të reja në raportet e brishta me Iranin.
Irani insiston se programi i tij bërthamor është paqësor. Megjithatë, zyrtarët e lartë iranianë kanë shfaqur indikacione se avancimi i programit bërthamor ka për qëllim prodhimin e kokave bërthamore.
Kina në anën tjetër, ka synuar një rol më aktiv në çështjet e Lindjes së Mesme dhe vitin e kaluar ka ndërmjetësuar bisedimet që dërguan në normalizimin e raporteve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Iranit.