Kina ka ekzekutuar një burrë të shpallur fajtor për vrasjen e të paktën 35 personave në një sulm me veturë në nëntor të vitit të kaluar, që konsiderohet të jetë sulmi më vdekjeprurës në vend për një dekadë.
Fan Weiqiu, 62 vjeç, plagosi dhjetëra të tjerë kur futi veturën e tij drejt njerëzve që ushtroheshin jashtë një stadiumi në qytetin jugor të Zhuhai.
Media shtetërore ka thënë se një person tjetër është ekzekutuar për një sulm të veçantë që ndodhi ditë më vonë. Xu Jiajin, 21 vjeç, vrau tetë persona në një sulm me thikë në universitetin e tij në qytetin lindor të Wuxi.
Autoritetet kanë thënë se Fan ishte nxitur nga "pakënaqësia" për mënyrën se si prona e tij ishte ndarë pas divorcit, ndërsa Xu kishte kryer sulmin e tij pasi "nuk arriti të merrte diplomën e tij për shkak të rezultateve të dobëta të provimit".
Fan ishte ndaluar në vendngjarje më 11 nëntor, ku policia kishte deklaruar se ishte gjetur me plagë të vetëshkaktuar.
Në dhjetor, ai është shpallur fajtor për "rrezikim të sigurisë publike", teksa Gjykata e përshkroi motivin e tij si "jashtëzakonisht të poshtër" dhe metodat e përdorura "veçanërisht mizore".
Ekzekutimi i tij të hënën vjen më pak se një muaj pasi gjykata e dënoi me vdekje.