Presidenti i Kinës, Xi Jinping është takuar të martën me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Pekin. Në këtë takim janë diskutuar çështje kyçe, duke përfshirë këtu tregtinë dypalëshe si dhe konfliktet në Ukrainë dhe Gaza, raporton “Associated Press”.
Të dy raportohet se kanë shkëmbyer mendime edhe për luftën në Ukrainë dhe konfliktin në Gaza.
Xi ka thënë se Kina është e gatshme të mbajë komunikim të ngushtë me palët përkatëse, përfshirë Gjermaninë, në përpjekjet për të promovuar zgjidhje paqësore.
Për sa i përket situatës në Gaza, të dyja palët ranë dakord që rezoluta e Kombeve të Bashkuara për armëpushim në rajon duhet të zbatohet.
Sipas transmetuesit shtetëror CCTV, Xi ka thënë se nuk ka konflikte themelore të interesit midis Kinës dhe Gjermanisë dhe se nuk ekzistojnë kërcënime për sigurinë.
Ai ka theksuar se të dyja palët duhet ta shikojnë çështjen e kapaciteteve në mënyrë objektive dhe shpreson që Gjermania do ta sigurojë një mjedis të drejtë, transparent, të hapur dhe jo diskriminues për ndërmarrjet kineze në Gjermani.
Scholz në anën tjetër ka thënë se Gjermania është e gatshme të përmirësojë komunikimin dhe koordinimin me Kinën për të trajtuar sfidat globale, duke përfshirë ndryshimet klimatike dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit botëror.
Ai ka shtuar se Gjermania e mbështet tregtinë e lirë dhe është e gatshme të luajë një rol pozitiv në promovimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Bashkimit Evropian.