Botë

Kina dhe Vietnami nënshkruajnë disa marrëveshje mes tensioneve tarifore të SHBA-së

Xi Jinping

Foto: Associated Press

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka bërë thirrje të hënën për lidhje më të forta me Vietnamin në tregtinë dhe zinxhirët e furnizimi, pas ndërprerjeve të shkaktuara nga tarifat e SHBA-së.

Xi ka marrë pjesë në Hanoi në nënshkrimin e dhjetëra marrëveshjeve të bashkëpunimit midis dy vendeve të drejtuara nga komunistët.

Vizita, e planifikuar për javë të tëra dhe pjesë e një udhëtimi më të gjerë në Azinë Juglindore, vjen pasi Pekini përballet me 145% tarifa nga SHBAja, dhe ndërsa Vietnami po negocion një ulje të tarifave të kërcënuara nga SHBA-ja prej 46% që përndryshe do të zbatoheshin në korrik pas skadimit të një moratoriumi global, raporton Reuters.

"Të dy palët duhet të forcojnë bashkëpunimin në zinxhirët e prodhimit dhe furnizimit”, ka thënë Xi në një artikull në Nhandan, gazeta e Partisë Komuniste të Vietnamit, të postuar përpara mbërritjes së tij të hënën. Ai ka kërkuar gjithashtu më shumë tregti dhe lidhje më të forta me Hanoin për inteligjencën artificiale dhe ekonominë e gjelbër.

“Nuk ka fitues në luftërat tregtare dhe tarifat”, ka thënë Xi, pa përmendur veçanërisht SHBA-në.

Pasi është takuar me liderin më të lartë të Vietnamit To Lam, të dy vendet nënshkruan dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi, treguan pamjet e dokumenteve, duke përfshirë marrëveshjet për rritjen e zinxhirëve të furnizimit dhe për bashkëpunimin mbi hekurudhat.

Përmbajtja e marrëveshjeve nuk u zbulua dhe ishte e paqartë nëse ato përfshinin ndonjë angazhim financiar ose detyrues.

Një memorandum mirëkuptimi i nënshkruar të hënën është për të nxitur bashkëpunimin midis Këshillit të Kinës për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Vietnamit, e cila lëshon certifikata mbi origjinën e mallrave.

Vietnami është një qendër kryesore industriale në Azinë Juglindore. 

Shumica e importeve të saj janë nga Kina, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë tregu kryesor i eksportit të saj. Vendi është një burim thelbësor i pajisjeve elektronike, këpucëve dhe veshjeve për Shtetet e Bashkuara.