Kina dhe Kanadaja kanë treguar masat hakmarrëse ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës pasi Donald Trumpi ka vendosur planin e tij gjithëpërfshirës të tarifave, pavarësisht paralajmërimeve se mund të ndizet luftë tregtare.
Tarifat e SHBA-së kanë hyrë në fuqi prej 25 për qind ndaj mallrave nga Kanadaja dhe Meksika, dy partnerët më të mëdhenj tregtarë të SHBA-së, dhe tarifat 20% kundër Kinës – duke dyfishuar taksë ndaj këtij vendi nga muaji i kaluar.
Detyrimet do të ndikojnë në mbi 918 miliardë dollarë importe amerikane nga Kanadaja dhe Meksika, raportoi të martën "The Guardian".
Kina ka njoftuar se do të vendosë tarifa të reja për një sërë importesh bujqësore nga SHBA-ja javën e ardhshme. Ministria e saj e financave tha se tarifa shtesë prej 15% do të vendosen për pulën, grurin, misrin dhe pambukun, tarifa të tjera 10% për sojë, mish derri, viç, frutat, perimet dhe produktet e qumështit.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se Otava do të përgjigjet me tarifa të menjëhershme prej 25% për importet amerikane me vlerë 30 miliardë dollarë.
“Tarifat do të prishin një marrëdhënie tregtare tepër të suksesshme”, ka thënë Trudeau, duke shtuar se ato do të shkelnin marrëveshjen e tregtisë së lirë SHBA-Meksikë-Kanada të nënshkruar nga Trumpi gjatë mandatit të tij të parë.
Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, pritej të njoftonte përgjigjen e saj të martën në mëngjes.