Zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Lin Jian, ka deklaruar të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke përdorur praktika agresive në lidhje me tarifat shtesë prej 104 për qind mbi importet kineze, dhe i ka bërë thirrje administratës së presidentit Trump për zgjidhje të mosmarrëveshjes përmes dialogut, transmeton BBC.
Duke folur gjatë një konference për shtyp, Jian ka thënë se “e drejta legjitime e popullit kinez për t’u zhvilluar nuk duhet të privohet nga tarifat e vendosura mbi produktet”.
Ai ka shtuar se nëse presidenti amerikan insiston në nisjen e një lufte më të gjerë tregtare, atëherë “Kina do të detyrohet të luftojë deri në fund”.
Tarifat reciproke të Trumpit kanë hyrë në fuqi të mërkurën (sot). Kina, si eksportuesja më e madhe në botë, fillimisht ishte goditur me një tarifë prej 34 për qind, krahas tarifave të mëparshme.
Tarifa shtesë prej 104% ndaj Kinës u vendos pasi Pekini zyrtar nuk iu përgjigj ultimatumit të Trumpit për heqjen e tarifës hakmarrëse prej 34% ndaj mallrave amerikane deri në mesditën e së martës.
