Botë

Kim Jong Un ripërsërit thirrjen për zgjerim të programit të tij bërthamor

Kim Jong-un

Kim Jong-un

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka ripërsëritur thirrjen e tij për një zgjerim “të pakufishëm” të programit të tij bërthamor ushtarak.

Në një konferencë me zyrtarë të ushtrisë të premten, Kim dënoi Shtetet e Bashkuara për përditësimin e strategjive të saj të parandalimit bërthamor me Korenë e Jugut dhe forcimin e bashkëpunimit ushtarak trepalësh që përfshin Japoninë, të cilën ai e portretizoi si një "NATO aziatike" që po përshkallëzonte tensionet dhe paqëndrueshmërinë në rajon, raporton AP.

Kim kritikoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës kundër pushtimit të zgjatur rus.

Ai ka këmbëngulur se Washingtoni dhe aleatët e tij perëndimorë po përdornin Ukrainën për të zhvilluar një luftë kundër Moskës dhe për të zgjeruar shtrirjen e ndikimit ushtarak të SHBA-së, sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve Koreano-Veriore.

Kim i ka dhënë prioritet lidhjeve të vendit të tij me Rusinë muajt e fundit, duke përqafuar idenë e një "lufte të re të ftohtë" dhe duke shfaqur një front të bashkuar në konfliktet më të gjera të presidentit rus Vladimir Putin me Perëndimin.

Ai e ka përdorur luftën e Rusisë ndaj Ukrainës si një shpërqendrim për të përshpejtuar zhvillimin e ushtrisë së tij të armatosur bërthamore, e cila tani ka sisteme të ndryshme me aftësi bërthamore që synojnë Korenë e Jugut dhe raketa balistike ndërkontinentale që potencialisht mund të arrijnë në kontinentin e SHBA-së.

Kim ende nuk ka folur në mënyrë të drejtpërdrejt nëse ka ofruar pajisje ushtarake dhe trupa për Rusinë për të mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës, teksa ai po ashtu nuk e ka komentuar rikthimin e Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.