Shpërthime janë dëgjuar përgjatë Kievit të mërkurën në mëngjes, pasi zyrtarët kanë thënë se Rusia ka nisur sulmin e parë raketor mbi kryeqytetin ukrainas që nga gushti, duke i detyruar gratë e moshuara dhe fëmijët e vegjël të strehohen në stacionin nëntokësor të metrosë, raporton Reuters.
Ukrainasit kanë qenë duke e pritur një sulm të madh me raketa për muaj të tërë, të shqetësuar se mund të shkaktojë dëm të ri në sistemin e energjisë dhe të shkaktojë ndërprerje të gjata, teksa afrohet dimri.
Mbrojtja ajrore ka rrëzuar dy raketa lundruese, dy balistike dhe 37 dronë përgjatë vendit, kanë thënë forcat ajrore ukrainase. Nuk ka pasur viktima ose dëme të mëdha të raportuara në Kiev.
“Putini ka nisur një sulm raketor në Kiev tani”, ka shkruar kreu i zyrës së presidentit, Andriy Yermak, në Telegram.
Mbeturinat e rëna nga raketat në rajonin jashtë Kievit kanë lënduar një 48-vjeçar dhe kanë shkaktuar zjarr në një magazinë, ka thënë kreu i administratës së rajonit të Kievit.
Kievi është përballur me sulme ruse me dronë gati çdo natë për javë të tëra. Bashkiaku i qytetit, Vitali Klitschko ka thënë se një dronë ka qenë duke fluturuar mbi Kievin qendor në mëngjes.
“Eksplodime në qytet. Forcat e mbrojtjes ajrore po punojnë. Qëndroni në strehimore!” ka shkruar administrata e Kievit në Telegram.
Rreth 100 banorë janë strehuar në stacionin qendror të metrosë “Universitet”, duke përfshirë fëmijë të vegjël që flinin në dyshekë në tokë dhe gra të moshuara që rrinin të ulura në karrige.
Disa janë ankuar për mungesë të gjumit nga sulmet e rregullta të dronëve, të cilat shkaktojnë ndezjen e alarmit të sulmit ajror, që tingëllon në të gjithë qytetin dhe bën zhurma në telefona.
“Mëngjeset janë të rrënuara. Fillova kolegjin në shtator dhe çdo mëngjes më është shkatërruar nga rusët gjakatarë. Nuk mund të fle, nuk mund të mendoj dhe pi pije energjike gjatë gjithë kohës”, ka thënë Mykyta, një adoleshent duke e përqafuar qenin e tij në metro.
Të dielën, Ukraina e ka sulmuar Moskën me të paktën 32 dronë, sulmi më i madh me dronë në kryeqytetin rus që nga fillimi i luftës në vitin 2022.