Botë

Kievi do të zhvillonte bisedime me Moskën nëse forcat ruse largohen nga Ukraina, thotë Zelensky

Volodymyr Zelensky

Volodymyr Zelensky

Foto: Associated Press

Kievi do të zhvillonte bisedime paqeje me Rusinë që nesër nëse Moska tërhiqet nga i gjithë territori ukrainas, ka thënë të dielën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Por duke folur në mbyllje të një samiti për paqen në Zvicër, ai ka shtuar se presidenti rus, Vladimir Putin nuk do ta përfundonte luftën, dhe se ajo duhet të ndalet "në çdo mënyrë", qoftë me mjete ushtarake apo diplomatike, raporton BBC.

Ndihma perëndimore nuk ishte e mjaftueshme për të fituar luftën, shtoi ai, por samiti kishte treguar se mbështetja ndërkombëtare për Ukrainën nuk po dobësohej.

Takimi përfundoi me një deklaratë të nënshkruar nga më shumë se 80 vende të cilat angazhohen për integritetin territorial të Ukrainës.

Megjithatë, disa vende pjesëmarrëse duke përfshirë Indinë, Afrikën e Jugut dhe Arabinë Saudite nuk e nënshkruan atë.

Samiti kishte për qëllim krijimin e mbështetjes më të gjerë të mundshme për një proces që mund të ndihmonte në përfundimin e luftës në Ukrainë. Më shumë se 90 vende dhe organizata ndërkombëtare morën pjesë në samit.

Rusia nuk ishte e ftuar dhe mbështetësi i saj më i madh Kina nuk ishte e pranishme, duke bërë që disa të vinin dyshime mbi efektivitetin e samitit.

Dokumenti përfundimtar bën thirrje që kontrolli ukrainas të rivendoset mbi termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias dhe portet e vendit në Detin Azov, të gjitha të pushtuara aktualisht nga Rusia.

Ai gjithashtu i referohet pushtimit të Rusisë si një "luftë", një etiketim të cilën Moska e ka hedhur poshtë.