Hetuesit e Koresë së Jugut po kërkojnë nga prokurorët që të ngrenë aktakuzë ndaj presidentit të arrestuar, Yoon Suk Yeol, për shpalljen e ligjit ushtarak muajin e kaluar. Ai akuzohet për rebelim, keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së parlamentit.
Yoon mbrojti veprimet e tij sërish kur u shfaq në dëgjimin gjyqësor për herë të dytë të enjten, duke thënë se ligji ushtarak kishte qëllim vetëm informimin e publikut për rrezikun e kontrollimit të Asamblesë Kombëtare nga opozita, raportoi AP.
Yoon është pezulluar nga të gjitha detyrat më 14 dhjetor. Gjykata Kushtetuese tani po shqyrton rastin për të vendosur nëse do ta shkarkojë përfundimisht Yoonin, apo do ta kthejë në detyrë.
Në mbajtje është marrë edhe ministri i Mbrojtjes, Kim Yong Hyun. Ai ka pretenduar se të gjitha përgjegjësitë për shpalljen e ligjit ushtarak janë vetëm të tij. Mediat patën raportuar se ai pati tentuar ta vrarë veten ndërsa ishte në paraburgim.