Botë

Kërcënon Putini: Përdorimi i armëve perëndimore nga Ukraina e vë NATO-n në luftë me Rusinë

Vladimir Putin

Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se një lëvizje perëndimore për ta lejuar Kievin të përdorë armë me rreze të gjatë kundër objektivave brenda Rusisë, do të nënkuptonte se NATO-ja është “në luftë” me Moskën.

Këtë deklaratë Putini e ka dhënë teksa diplomatët e lartë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe kanë diskutuar lidhur me lehtësimin e rregullave për të lejuar përdorimin e armëve perëndimore në Rusi, gjë për të cilën Ukraina ka bërë vazhdimisht presion.

"Kjo do të ndryshonte në mënyrë domethënëse vetë natyrën e konfliktit. Kjo do të thotë se vendet e NATO-s, SHBA-ja, vendet evropiane, janë në luftë me Rusinë. Nëse është kështu, atëherë duke marrë parasysh ndryshimin e natyrës së konfliktit, ne do të marrim vendimet e duhura bazuar në kërcënimet me të cilat do të përballemi”, ka thënë Putini, raportoi “The Guardian”. 

Komentet e Putinit u dhanë një ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Shtëpia e Bardhë është gati të heqë kufizimet e saj ndaj Ukrainës, duke përdorur armë me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga perëndimi në objektivat kryesore ushtarake brenda Rusisë.  

Duke folur në Kiev së bashku me sekretarin e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy, Blinkeni ka thënë se SHBA-ja që nga dita e parë ka qenë e gatshme ta përshtaste politikën e saj varësisht nga situata në fushën e betejës në Ukrainë.