Gjykatësja që e ka dënuar lideren e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, duke ia ndaluar kandidimin në zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027, është vënë nën mbrojtjen e policisë pasi është përballur me kërcënime me vdekje.
Po ashtu, adresa e saj e shtëpisë është shpërndarë në internet, ka thënë për Reuters një burim me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje.
Benedikte de Perthuis, kryetarja e një paneli prej tre gjyqtarësh që e ka shpallur Le Penin fajtore për përvetësim të fondeve të BE-së, tani është duke u mbrojtur nga policia, në punë dhe në shtëpi.
De Perthuis gjithashtu ka marrë kërcënime në mediat sociale, pasi fotoja e saj është përhapur me të madhe në rrjetin social X dhe faqet e ekstremit të djathtë.
Policia e Parisit ka konfirmuar se një hetim është duke u zhvilluar lidhur me kërcënimet ndaj De Perthuis.
Le Pen është shpallur fajtore të hënën për përvetësim të fondeve të BE-së për ta financuar partinë e saj.
Ajo përveç që është ndaluar nga kandidimi për poste publike për 5 vjetët e ardhshme, është dënuar edhe me katër vjet burgim, dy prej të cilave me kusht dhe dy të tjera mund t’i kryejë në liri duke mbajtur hallkë elektronike, dhe po ashtu me gjobë në vlerë prej 100.000 euro.
Dënimi me pamundësinë e garimit për poste publike është me efekt të menjëhershëm, teksa ai me burgim dhe gjobë nuk do të zbatohen derisa të shteren të gjitha apelet nga Le Peni.
Le Peni është parë si favorite për t’i fituar zgjedhjet e vitit 2027, sipas sondazheve të opinionit.